30 Mars, 2018 - 1:20 pm
Festivali Ndërkombëtar i Muziktarëve të Rinj (DAM) trembëdhjetë vite më parë, kishte lindur si një dëshirë e studentëve të Fakultetit të Artit për të promovuar punën e tyre. Për këto trembëdhjetë vite ky festival ka bërë që Prishtina , dhe jo vetëm, të kumbojë nga tinguj të ndryshëm të instrumentistëve vendorë dhe të huaj. Festivali ka sjellë emocione, ndërsa Kosova, ky vend i vogël është bërë i dashur dhe i njohur për shumë instrumentistë, pikërisht nga ky festival. Tradita ka vazhduar edhe këtë vit, shkruan KultPlus.
Alberina Haxhijaj
Hapjen e edicionit të 13-të të Festivalit DAM në Prishtinë e bëri orkestra “West Coast Symphony Orchestra”. Dirigjenti Bujar Llapaj i cili që nga viti 2007 është dirigjent permanent i kësaj, orkestre nëVankuver të Kanadasë pati premtuar herën e kaluar kur ishte në Prishtinë se do e sjellë këtë orkestër edhe në Kosovë. Kështu premtimi i tij u realizua këtë vit duke shënuar edhe hapjen e edicionit të 13-të të Festivalit DAM.
“Ideja e tureve tona, duke përfshirë edhe këtë në Prishtinë është që të ketë shkëmbim të kulturave, që publiku shqiptarë të dëgjojë kompozitor kanadez apo amerikanë dhe ne të luajmë vepra të kompozitorëve shqiptarë. Kultura është ura më e mirë që bashkon njerëzit, muzika është një nga gjuhët që nuk ka shumë keqkuptime dhe është universale, nuk ka fjalë që të djegin vetëm tinguj që të japin kënaqësi. Ky ishte koncerti i gjashtë dhe i fundit i turnet. Kemi pasur si pikë kryesore pikërisht festivalin DAM për shkak tëpromovimit të veprave të reja dhe talenteve”, u shpreh dirigjenti për KultPlus.
Në hapje të këtij festivali nuk mungoi as publiku i cili çdo herë po i qëndron besnik festivalit DAM. Një gjë të tillë e ka vënë re edhe dirigjenti por edhe anëtarët e orkestrës. Ai tregoi sesi çdo herë se publiku më i mirë është në Prishtinë dhe është për t’u çuditur interesimi që kanë të rinjtë për muzikën klasike dhe për festivale të tilla. Ndërsa nuk harron që të përgëzon edhe kompozitorët kosovarë duke treguar se mundohet sa më shumë të marrë vepra të kompozitorëve shqiptar dhe ato ti luaj në Kanada.
Kjo mbrëmje filloi me premierën botërore të koncertit për klarinetë dhe trombon, kompozuar nga kompozitori Kreshnik Aliçkaj, që është shkruar tre muaj më parë. Si soliste në klarinetë erdhi Gwynneth Jones, kurse në trombon Jim Hopson. Kurse kompozimi nuk ka qenë i lehtë për kompozitorin Aliçkaj për shkak të formacionit.
“Është një formacion jo shumë i lehtë për me e shkru, pasi që tromboni dhe klarineta janë dy instrumente të ndryshme edhe pse janë frymore, gjithashtu dallojnë edhe për nga ngjyra dhe regjistri dhe si kompozitor është dashur që të kem shumë kujdes në trajtimin e këtyre instrumenteve”, tha ai për KultPlus duke u shprehur i kënaqur për interpretimin që ju bë veprës së tij.
Mbrëmja vazhdoi me “Qyteti” nga suita “WestCoast” pastaj mr koncert për soprano saksofon dhe orkestër, Julia Nolan e cila interpretoi në saksofon u shpreh se kjo performancë në Prishtinë ishte më e mira për të.
“Audienca ishte shumë e ngrohë, qyteti është i bukur dhe çdo gjë ishte e mrekullueshme edhe grupi po ndihet i rehatshëm, dhe duke e ditur që ky ishte koncerti jonë i fundit dhe më pas do të shkojmë në shtëpi ishte edhe më i veçantë. Tashmë jemi duke diskutuar pasi që dëshirojmë që të kthehemi përsëri”, tregoi ajo.
Programi i kësaj mbrëmje përfundoi fuqishëm me interpretimin e uverturës nga opera ”Goca e Kaçanikut”. Kompozitori Rauf Dhomii cili ishte në publik bëri diçka që rrallë herë e bënë kur interpretohen veprat e tij. Ai ju bashkua orkestrës në skenë për t’i falënderuar për interpretimin që i bënë veprës së tij, si dhe për të përgëzuar dirigjentin të cilin ai e konsideron një maestro.
“Kur filluan akordimet e orkestrës në fillim mendova se janë amatorë për faktin se akordimi te profesionistët nuk zgjatë. Kjo ishte hera e parë që kam gabuar. Orkestra me dirigjimin e Bujar Llapaj, pasi që shumica ishin amator, por me dirigjimin e tij këtë tingëllim nuk do ta dëgjoni kurrë në Prishtinë, përveçse me këtë dirigjent. I thash faleminderit shumë që më dhe mundësin të të quaj i çmendur, pasi që vetëm një i çmendur di të lexoj aq mirë partiturën. Nuk ka një frazë që nuk është përpunuar ashtu si unë e kam menduar dhe kjo ishte një nga interpretimet më të mira të veprës sime”, u shpreh ai për KultPlus, duke theksuar se kjo vepër është luajtur edhe nga Filharmonia e Kosovës disa herë, mirëpo nuk kishte pasur një interpretim të tillë.
Por organizimi i këtij festivali nuk është i lehtë asnjëherë për organizatorët. Drejtori i Festivalit Dardan Selimaj u shpreh se financiarisht festivali ka probleme si asnjëherë tjetër.
“Besojmë që vitin e ardhshëm do të kemi mundësi të eksperimentojmë më shumë me hapësirat. Kemi ansamble të niveleve botërore dhe ansamble që nuk janë në këtë nivel.Kjo na jep mundësinë që të krahasojmë vetën. Edhe te ne ka instrumentistë që mund të koncertojnë nëpër skena të ndryshme dhe ka progres në anën kualitative, mirëpo në infrastrukturë jo. Kushtet dhe rrethanat të cilat ne punojmë janë të pakrahasueshme me orkestrat e tjera”, u shpreh ai, duke theksuar se nuk sheh vullnet politik as për ndërtimin e sallës koncertale, pikërisht për faktin se ata që flasin për këtë, asnjëherë nuk marrin pjesë nëpër festivale dhe koncerte. Pra nuk e përjetojnë sesa e vështirë është dëgjimi i koncerteve në salla të tilla alternative.
Mbrëmë fuqishëm filloi një edicion tjetër i suksesshëm i Festivalit DAM edhe përkundër problemeve që hasin organizatorët e të cilat shpesh herë nuk vërehen nga të pranishmit. Ky koncert ishte udhëprijës i koncerteve dhe organizimeve të shumta që do të ketë deri më3 prill, në kuadër të këtij edicioni./KulPlus.com