13 Maj, 2021 - 3:29 pm
Era Berisha
Madhështia dhe bukuria unike e mjeshtërisë së interpretimit pianistik ku dëgjuesi mbyllet brenda botës së melodive dhe tingujve që frymojnë nga një instrument bardh e zi e që gjallërohen në një eufori ngjyrimi që përfundojnë në një ekstazë magjepsjeje, kësaj radhe vjen në formën e 16 koncerteve nga 11 artistë të shquar, mbi 20 studentë dhe 50 nxënës të shkollës së muzikës që do të performojnë në edicionin e 11-të të Chopin Piano Fest që nis nga data 31 maj deri më 30 qershor, shkruan KultPlus.
Festivali Chopin Piano, një festival i muzikës klasike, këtë vit rikthehet fuqishëm me një risi në aspektin e repertorit ku do të zhvillohen koncerte recitale me 9 pianistë të shquar si: Tutu Aydinouglu nga Turqia, Stefan Moller nga Austria, Georgy Kovac nga Hungaria, Jerome Granjon nga Franca, Dino Imeri nga Maqedonia, Gabriele Carcano nga Italia si dhe Zoya Shuhatovic nga ShBA. Po ashtu, do të mbahet edhe një koncert kamertal me këndim dhe piano ku performojnë së bashku artistët nga Shqipëria si: Marjana Lekaj dhe Armaldo Kllogjer në bashkëpunim me pianisten Lejla Pula.
Gjithashtu, këtë herë mendohet të ketë më shumë hapësirë për pianistët e rinj, nxënësit dhe studentët ku është rezervuar një revy e talenteve të rinj nga 8 shkolla publike të muzikës në të gjithë Kosovën dhe 4 mbrëmje koncertale për studentët e Fakultetit të Arteve. Ndërsa, është bërë e ditur se do të mbahet edhe gara për çmimin Chopin Piano FEST në bashkëpunim me pianisten Ardita Statovci si dhe nuk do të mungojnë as masterklase me studentë.
Ndërsa, risitë programore mendohen të jenë: një mbrëmje e titulluar ”In Honour of Beethoven” me 8 pjesëmarrës vetëm me vepra të Beethoven, pastaj mbrëmja e muzikës romantike të studentëve me rreth 20 pjesëmarrës. Po ashtu, gjithsej 41-42 solistë të rinj që do të performojnë në ‘Skenën Juvenis’ dhe në ‘Mbrëmjen e Solistëve’, me ç’rast do të sjellin risi në program ku do të interpretohen komplet 24 preludet dhe fugat e Bach-ut ose 24 preludet e Chopin-it. Këtë vit, është menduar që para publikut të shfaqet edhe përmbledhja e veprave pianistike të krijuara nga kompozitorët e rinj kosovarë të cilët do të promovohen edhe në botë përmes marrëveshjes dhe bashkëpunimit me mysafirët e festivalit që do të kenë rast ta marrin si dhuratë botimin me veprat pianistike.
Përpos shpalosjes së programit të këtij festivali, në një intervistë për KultPlus, drejtoresha e festivalit, Besa Luzha ka folur edhe rreth ndikimit të pandemisë për shtyrjen e edicionit të 11-të të festivalit që ishte i planifikuar në prill të vitit 2020 si dhe përjetimit të këtyre ndryshimeve.
“Ne kishim bërë të gjitha përgatitjet dhe prej kohës kur edhe në Kosovë u vunë masat anti-Covid dhe u ndaluan lëvizjet gjithandej nëpër botë, ne e pamë se do të jetë e pamundur të zbatohet ky plan. Prandaj në prill, ne zhvilluam një prezantim virtual të artistëve sipas programit që kishim përgatitur dhe në datat e caktuara prezantonim biografinë e artistit pjesëmarrës dhe interpretimet e tyre nga video që ata na dërguan ose që mund të gjendeshin në YouTube”, thotë Luzha.
Sipas saj, pastaj është formuar plani tjetër për ta mbajtur festivalin në nëntor të vitit 2020 por që pak para fillimit të realizimit, përcaktimit të datave dhe aranzhimit të udhëtimeve së artistëve, gjendja në Kosovë u përkeqësua përsëri dhe masat u shtrënguan. Prandaj, është parë e arsyeshme që të shtyhet përsëri sepse nuk kanë dëshiruar që festivali të mbahet në mënyrë virtuale sepse ideja e koncertimit live para audiencës është kryesorja në këtë festival.
Ndërsa, se si erdhi përfundimi në zgjedhjen e datave për këtë edicion i cili fillon me 27 maj, Luzha për KultPlus tha se në muajin shkurt dhe mars kur gjendja ishte e rënduar, ata filluan përgatitjet për të realizuar programin në muajin prill-maj e deri në qershor.
“Në bisedë me artistët, të cilët në vende të ndryshme janë subjekt i vaksinimit, për të vazhduar karrierën e tyre koncertuese, ne arritëm të ri-organizojmë datat me të gjithë artistët. Pra, është dashur që të bisedojmë me secilin artist për datat e reja dhe pothuajse të gjithë preferonin qershorin si mundësi më reale”, thotë Luzha.
Për Luzhën, problemi më i madh është evituar me shtyrjen, sepse në pamundësi për të udhëtuar është dashur të anulohen të gjitha biletat, por për fat ka pasur mirëkuptim nga agjensionet për këtë pjesë.
“Riaranzhimi i datave me artistët ka qenë sfidë në vete, duke i shikuar masat në çdo shtet para dhe pas udhëtimit. Shumica e artistëve në vendet e tyre kanë marrë vaksinën dhe janë të lirë të udhëtojnë, por disa prej tyre brengosen nëse pas kthimit nga Kosova duhet të qëndrojnë në karantinë.”
Por, tani Luzha shpreson se gjithçka do të shkojë sipas planit dhe artistët do të jenë në Kosovë për të performuar live para audiencës tanimë të etur për ngjarje të tilla kulturore. Ndërkohë, sipas saj, barrën më të madhe të kësaj pjese të organizimit e ka bartur Presidentja dhe Drejtoresha artistike e festivalit Lejla Pula, e cila ka qenë vazhdimisht në kontakt me artistët për të aranzhuar dhe riaranzhuar datat dhe programin e koncerteve.
Krejt në fund, Luzha për KultPlus ka shpalosur edhe pritshmëritë e saj për këtë edicion.
“Ne jemi shumë të emocionuar që po i rikthehemi normalitetit dhe mundësisë së performimit live, por edhe të kujdesshëm për shkak të rrethanave të pandemisë. Presim që mungesa e koncerteve në vitin e kaluar do të arrihet të kompensohet me koncertet e organizuara tash dhe audienca do të shijojë kryeveprat e repertorit pianistik botëror të interpretuara nga pianistë të shquar të skenave botërore”, përfundon Luzha.
Ajo tutje ka potencuar se rikthimi në skenë shihet në një mënyrë simbolike edhe një rikthim në normalitet pas një periudhe të gjatë e të vështirë për të gjithë njerëzit në botë, e posaçërisht për performuesit të cilët jetojnë për muzikimin në skenë.
Chopin Piano Fest Prishtina do të mbahet fizikisht në sallën e Amfiteatrit të ri të Bibliotekës Universitare në ndërtesën e ish –Institutit të Historisë. Koncertet do të fillojnë në orën 19:00 përveç koncertit të nxënësve që do të mbahet paradite. Gjithashtu, do të vendoset një sistem rezervimi të vendeve me kohë, meqë ulëset janë të limituara.
Kurse, për të interesuarit që nuk do të arrijnë të jenë prezent në sallë, ata mund ta shohin koncertin përmes livestream, pasi që të merret edhe aprovimi nga secili performues. / KultPlus.com