26 Maj, 2023 - 5:45 pm
Aktiviteti “Violinistic Greetings” pjesë e festivalit “Maratona Violinistike” erdhi me edicionin e tij të 11-të, me pjesëmarrjen e violinistëve të huaj që interpretojnë muzikë shqiptare të kompozuar enkas për këtë edicion.
Eventi u zhvillua në mjediset e Universitetit të Arteve, me mbështetjen e Ambasadës Austriake dhe është pjesë e Stinës Koncertore të Fakultetit të Muzikës.
Ky edicion sjell krahas veprave të literaturës botërore dhe 8 vepra premierë për violinë solo. Janë 7 Capriccio për violinë solo dhe një Duo Capricccio për violinë e violonçel.
“Kodaly String Duo Wienna” është një duo violinë e violonçel. Sebastian Leczky violinist dhe Marcel Leczky violonçelist janë personazhe të “Violin Channel “dhe” Strad Magazin” që studiojnë e perfeksionohen nga Wienna në Amerikë. Protagonistët e këtij eventi interpretojnë me orkestra dhe debutojnë suksesshëm në konkurse e evenimente të rëndësishme të botës muzikore.
Ata janë fitues të konkurseve të shumta ndërkombëtare, si Konkursi Ndërkombëtar i Muzikës në Londër (MB), Konkursi Ndërkombëtar i Muzikës Medici (MB) dhe fitues të çmimeve të Konkursit Ndërkombëtar të Stringut në Varshavë (Poloni).
Koncerti solli premierë edhe 2 vepra shqiptare, të kompozuara për këta muzikantë nga violinistja, profesore e asociuar në UA, Ina Kosturi.
“Kodaly String Duo” organizoi sot dhe një workshop e masterclass me studentët e violinës në sallën Çesk Zadeja në Universitetin të Arteve. Maratona violinistike, edicioni i 11-të, mbetet e hapur muajt në vazhdim me koncerte live dhe online.\KultPlus.com