30 Maj, 2023 - 4:11 pm
Festivali i Kitarës ka arritur në edicionin e 7-të të tij dhe entuziazmi për këtë event tërheqës muzikor është në rritje. Edicioni i sivjetshëm vazhdon traditën e përkushtimit ndaj muzikës, si dhe mbështetjen ndaj talenteve të reja. Ky festival është i njohur për promovimin e muzikës së kitarës në të gjitha formatet dhe stilet e saj. Nga flamenco deri tek klasike, jazz-i dhe rock-u, audienca do të ketë mundësinë të shijojë një varg performancash të talentuara nga muzikantët më të mirë të kitarës.
Drejtori Artistik i Festivalit, Dr. Denis Bizhga u shpreh se festivalet muzikore janë institucione artistike që promovojnë ngjarje artistike dhe ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e kulturës dhe një turizmi muzikor.
Pjesëmarrës në këtë edicion të festivalit do të jenë personalitete të njohura të botës së kitarës. Njëri prej tyre është Marko Battaglia, një virtuoz i kitarës nga Italia.
Battaglia do të performojë në 3 qershor në sallën “Tonin Harapi” në Tiranë.
Në 6 qershor në Krujë, duo nga Danimarka Gantriis-Zimmermann do të ofrojë një udhëtim magjepsës nëpër një hartë muzikore të botës, ku muzika popullore dhe këngët e vendeve të ndryshme riinterpretohen ose aranzhohen në atë mënyrë që të lindë muzika e re, frymëzuar nga traditat.
Nga Viena, duo Pavlova – Böhm sjell në 16 qershor në Elbasan dhe 17 qershor në sallën “Tonin Harapi” në Tiranë “Danub Impressions”.
“Danub Impressions” sjell një përvojë të rrallë muzikore, e cila shkon përtej vetëm për të dëgjuar tingujt, por edhe për të shijuar historinë, kulturën dhe lidhjet e muzikës me mjedisin ku është krijuar.
Për të mbushur festivalin me magjinë e tij, kitaristi i famshëm Jose Maria Gallardo del Rey do të performojë në 1 korrik në sallën “Tonin Harapi” në Tiranë.