12 Mars, 2019 - 3:57 pm
Sopranoja e njohur Elbenita Kajtazi është në rrezik që të humbas pjesëmarrjen në një garë ndërkombëtare në Kili pasi që posedon vetëm pasaportën e Kosovës. Për këtë arsye kjo e fundit ka kërkuar ndihmë nga Presidenti i Shqipërisë në mënyrë që të marrë pasaportën e Shqipërisë, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në Facebook ajo ka treguar se ka filluar procedurat për pasaportë të Shqipërisë mirëpo i duhet ndihmë në mënyrë që këto procedura të përshpejtohen.
Më poshtë mund të lexoni postimin e saj të plotë:
I drejtohem publikisht presidentit të Republikës së Shqipërisë zotit Ilir Meta
Jam një artiste shqiptare nga Kosova dhe nëpërmjet një pune kolosale dhe me shumë sakrifica kam arritur të kem një vend në botën operistike … E dua vendin ku jam lindur dhe rritur dhe mbart me vete çdo gjë të tij por fatkeqësisht Kosova nuk njihet nga të gjitha shtetet e botës dhe pikërisht në këto momente jam duke rrezikuar një kontratë pune në Kili -Chile të fituar në një konkurs ndërkombëtar për arsye që ky shtet nuk njeh shtetësinë e Kosovës.
Kam bërë kërkesë për pasaportën shqiptare para 4 muajsh dhe kërkesa ime ka qenë e pranuar me gjenerozitet nga shteti shqiptar.
Procedurat janë pak të gjata por do ju lutesha të më ndihmonit për të shpejtuar këtë procedurë sepse rrezikoj ta humbas këtë mundësi që më ka kushtuar shumë.
Uroj të has në mirëkuptimin dhe përkrahjen tuaj./ KultPlus.com