15 Mars, 2022 - 2:00 pm
Opera Shtetërore e Hamburgut i ka kushtuar tre koncerte Ukrainës dhe civilëve ukrainas, me ç’rast paratë e mbledhura nga këto koncerte do t’i kontribuojnë pikërisht këtij shteti që po kalon kohëra të vështira, KultPlus.
Pjesëmarrësit kanë qenë artistët ukrainas Natalia Klitschko, Andrei Bondarenko dhe artistë të tjerë siç janë Klaus Florian Vogt, Gregory Kunde, Guanqun Yu, Franco Vasallo dhe artistja shqiptare Elbenita Kajtazi.
Kajtazi përmes një postimi në “Facebook”, është shprehur shumë e lumtur që po dhurohen para për këtë kauzë të madhe.
“Një mbrëmje për t’u mbajtur mend, të gjithë së bashku kundër luftës në Ukrainë. Jam shumë e lumtur që deri më tani janë dhuruar shumë para për këtë kauzë të madhe. Po lutem dhe shpresoj që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt”. /KultPlus.com