Elbenita Kajtazi pas debutimit në skenën e Vjenës: Ishte një ëndërr, dy zemrat brenda meje më dhanë forcë ta realizoj

31 Tetor, 2024 - 11:18 am

Sopranoja e njohur shqiptare, Elbenita Kajtazi, pas paraqitjes së fundit bashkë me tenorin Saimir Pirgu, në Teatrin e Operës në Vjenë, ka falënderuar të gjithë përkrahësit e saj në këtë rrugëtim.

Kajtazi, në rrjete sociale ka shkruar se debutimi i saj në operën e Vjenës ishte një ëndërr, emocion dhe rrahje zemre të veçantë. Sopranoja tregoi që në këtë skenë ishte bashkë me fëmijën e saj që po e pret të lindë.

“Debutimi im në operën e Vjenës ishte një ëndërr, një emocion që nuk e përshkruaj dot, një rrahje zemre që në ato 5 sekondat e parë kur futesh në skenë gati sa ta zë frymën, por unë kam dy zemra që rrahin mbrenda meje, ajo e vogla e picirrukut tim më jep forcë e më inspiron të ja dal në çdo sfidë që kam pasur deri tani”, ka shkruar ajo.

Tutje, Elbenita ka falënderuar ministrin e Kulturës në Kosovë, Hajrulla Çeku dhe deputeten Tinka Kurti që ishin të pranishëm në mbrëmjen e 28 tetorit në Vjenë.

“Ndjehem me fat që një debputim kaq të rëndësishëm e realizova përkrah tenorit tonë të mirënjohur Saimir Pirgu, e falënderoj nga zemra që në çdo moment të shfaqjes ishte mbështetje e imja, duke më shtrënguar dorën e duke më pëshpëritur në vesh që gjithçka po shkon për mrekulli”. shkroi tutje Kajtazi.

Poashtu, ajo shtoi se mbrëmja u bë më e bukur me maestron Placido Domingo, që ishte një befasi atë natë.

“E një falenderim i veçantë shkon për gjysmen time Ardianin i cili nuk ma lëshoi dorën asnjëherë gjatë këtyre gati 16 vite që jemi bashkë”, ka shtuar sopranoja në fund, duke u shprehur falënderuese për partnerin e saj./KultPlus.com

Të ngjajshme