11 Gusht, 2022 - 2:45 pm
Këngëtarja shqiptare Elhaida Dani ndodhet prej disa ditësh në Kanada në kuadër të turneut muzikor “Notre Dame de Paris”. Shfaqja fenomenale me tekstshkrues Luc Plamondon dhe muzikë nga Richard Cocciante, e bazuar në veprën e Victor Hugo, rikthehet në Quebec në 2022 për një seri shfaqjesh të jashtëzakonshme!
Dani e ftuar nga të dy autorët e projektit për të luajtur rolin e Esmeraldës në muzikalin e famshëm botëror i cili është pjesë e librit Guinness, ka zhvilluar turin e saj kanadez më herët në gushtin e 2018.
“Notre Dame de Paris” ka njohur terren të gjerë nëpër botë ku vepra është e përkthyer në 9 gjuhë të tjera.
Vepra muzikore “Notre-Dame de Paris” është një lidhje mes kulturës francez dhe asaj kebekuaze, e cila debutimin e saj të parë e pati më 16 shtator 1998 në Paris. Ajo bazohet në romanin me të njëjtin titull (The Hunchback of Notre-Dame) të romancierit francez Victor Hugo.
Prej vitit 2016, Elhaida Dani dhe “Notre Dame de Paris”, udhëtuan anekënd botës duke e prezantuar përpara artdashësve në Francë, Lebanon, Russi, Taiwan, ku stacionin e fundit e pati në Kanada më 2018. Ky është një prej spektakleve më të mëdha në botë ndaj edhe trupa përfaqësuese është mjaft profesionale. Prej mbrëmë turi vazhdon në Quebec në “Grand Théâtre de Québec”, datat e spektaklit në Montreal do të jenë më 28 dhe 30 gusht, 1-4 shtator 2022.
Me më shumë se 4000 shfaqje në 20 vende, të kënduar në 9 gjuhë të ndryshme dhe duke bashkuar më shumë se 10 milionë spektatorë në mbarë botën, Notre Dame de Paris është bërë një spektakël thelbësor muzikor dhe vazhdon suksesin e tij mbarëbotëror përsëri dhe përsëri./ Albanian MontrealPress/ KultPlus.com