17 Gusht, 2018 - 9:08 pm
Gili Hoxhaj
Fotografe: Elmedina Arapi
Që nga dita kur Anibari filloi rrugëtimin e tij në qytetin perëndimor të Kosovës, rrugët drejt kinemave janë më të shkelura se rëndom, ndërsa presin mysafirë të tjerë, përveç atyre të Pejës.
Një urë me çadra shumëngjyrëshe qëndron mbi Lumin “Bistrica” e i jep një ndjesi ndryshe rrugëve drejt pikave ku po zhvillohet edicioni i nëntë i festivalit të animacionit – Anibar. Brenda hapësirave të mbyllura dhe të hapura, ekranet e tyre ndizen për mbi 200 filma sa janë përzgjedhur të shfaqen në këtë festival, i cili këtë vit trajton temën e pabarazisë gjinore. Një gjallëri më ndryshe i kanë sjellë Pejës edhe mbrëmjet muzikore që janë zhvendosur në Parkun “Karagaq”. Rruga pak më e pjerrët deri atje, e freskia e Bjeshkëve pranë, ecjen e bën më të ngadaltë, derisa rrugës sheh grumbuj të rinjsh dhe jo vetëm. Ishte emri i Elina Dunit, ai që bënte të lexoje emocionin e publikut, derisa ajo ende nuk kishte prekur skenën.
Shumë pak pranë mesnatës, publiku vjen e zë gjithë hapësirën në fushën e gjelbër, pranë parkut “Karagaq” . Ngjyrat e ndezura që vijnë nga skena e bëjnë të dukshme praninë e publikut, i cili me duartrokitje të fuqishme e pret Elina Dunin, e cila para tyre dëshmoi fuqinë e saj artistike e vokale, që nga kënga e parë e deri në të fundit. Elina Duni mbrëmë eci fuqishëm nën tingujt e kitaristit Rob Luft, që vlerësohet si një prej yjeve në ngritje të skenës bashkëkohore të Jazzit Londinez, vendlindjen e të cilit Elina Duni e bëri shumë të pranishme në komunikimin e publikut, në anën tjetër edhe Italinë që përfaqesonte vendlindjen e bateristit italian Enzo Zirilli, që qëndronte më prapa Dunit e Luft.
Duni që dëgjohet jo dhe pak brenda dhe jashtë Kosovës, është bërë shumë e pranishme për stilin unik e gërshetimin e tradicionales e jazzit. Në programin e saj të mbrëmshëm dominuan këngët folklorike shqiptare të kombinuara me jazz, duke e kthyer nostalgjinë e shumëkujt në këto këngë që pak kush di t’u japë shpirt si Elina Duni.Me këngë të mërgimit e të dashurisë, ajo ngjalli emocionin e publikut në cdo zgjatje të zërit në fund të këngës, që përveçse depërtonte rrjedhshëm tek publiku, mes frymës vërehej emocioni që ngjallnin tekstet që kalojnë mbi realitetin shqiptarë.
Ritmi i këngëve që vjen si një përzierje e mahnitshme, me zërin e Dunit që e përcjellë interpretimin me saktësi, e plotëson me vallëzimin e saj plot stil brenda një hapësire të kufizuar të skenës. Në një skenë të dominuar nga instrumentet, Elina Dunit i mjaftonte zëri e prania për ta ndjerë shumë pranë publikun, të cilit i kërkoi që ta përcillte cdo kund.
“Jeni këngëtarë shumë të mirë, do të ju marrë me vete”, ishte reagimi i Elina Dunit teksa dëgjonte zërat e publikut të Anibarit, derisa i bashkoheshin zërit të saj.
Krahas këngëve të reportuarit të këngëtares Duni, ajo gjithashtu solli edhe këngë të reja që i përkasin repertorit te ri me kitaristin Rob Luft dhe që nuk janë vetem në shqip, këto këngë zunë vend në minutat e parë të saj në skenë ku filloi me “Vaj si kenka”, për të vazhduar me “Mallëngjimi”, “Gentle Rain”, “Couleur Café”, “N’atë Zaman”.
Elina mbrëmë i dëshmoi publikut të Anibarit, që nuk është vetëm një interpretuese e mahnitshme por dhe një krijuese e rrallë, që di të krijojë prej momentit, që e njeh publikun, që di të lexoj reagimin e tij, e ta dërgojë në një dimension tjetër praninë e tij. Për Elina Dunin kjo është hera e dytë që paraqitet para publikut të Pejës, ndërsa tha se të tre u ndjenë jashtëzakonisht mirë që interpretuan para një publiku kaq të ri dhe entuziastë.
“Përgëzoj organizatoret e Anibar të cilet sjellin një frymë artistike, humane nëpërmjet filmave dhe koncerteve. Sonte ndjesia ishte shumë e mirë. elektrike, rock.Të tre u ndjemë shumë të lumtur të luanim përpara një publiku kaq të ri, entuziast, dhe kaq të ngrohtë”, tregoi Elina Duni për KultPlus.
Këngë nga albumi i saj “Muza e zezë” e “Vishnje” erdhën si gërshetim muzikor mes dashurisë njerëzore e asaj ndaj vendit, “Delja rude”, “Bukuroshja e lalës”, “O ti n’at koder e unë këtë kodër”, me një interpretim që veçse bëhej edhe më i fuqishëm, bën që publiku të hidhej në kërkim të edhe një interpretimi tjetër, ndërsa Duni mes zërave të bashkuar e kërkues, u dakordua se do të qëndrojnë në skenë edhe për dy këngë të tjera. Pas lëvizjeve të gjalla, e interpretimit plot shpirt, ajo iku e përkulur duke iu falënderuar publikut të Anibarit që e përcolli me duartrokitje të forta deri në hapin e fundit të largimit nga skena.
Anibar do të vazhdoj rrugëtimin e tij deri në datën e 19 gushtit. / KultPlus.com