Eliza Hoxha, gruaja e shumë profesioneve erdhi në ‘KultWoman’

7 Mars, 2019 - 10:57 am

Arbër Selmani

Kanë qenë të rastësishme shumë prej profesioneve të cilat Eliza Hoxha i ka ushtruar nëpër vite. Po kaq të rastësishme kanë qenë edhe shumë iniciativa të saj, shumë angazhime profesionale dhe shumë vende të punës, por emërues të përbashkët secila rastësi e ka pasur kënaqësinë, disciplinën në punë dhe dashurinë për projektin.

Është jo e lehtë ta përthekosh Eliza Hoxhën në disa pyetje dhe në një mbrëmje kushtuar vetëm asaj. ‘KultWoman’, projekt i KultPlus, e pati mbrëmë Elizën si mysafire të radhës, e cila erdhi para publikut në numër të madh për të treguar rrëfimin e saj artistik në shumë projekte të cilat ajo i ka realizuar.

Gjatë natës, Eliza tregoi për albumin e parë muzikor, për bashkëpunimin me Enis Preshevën, por edhe për albumet të cilat nuk u realizuan asnjëherë.

“Më kujtohet sidomos pjesëmarrja në Akordet e Kosovës, herën e fundit kur u mbajtën ato, në vitin 1989. Hera e parë poashtu ka qenë në Akordet e Kosovës kur unë pak qenë veç 5 vjeçe, me një këngë që e ka kompozuar babai im” tregon Eliza.

Ajo ka punuar edhe si fotografe më pas, për Gazetën ‘Zëri’ asokohe me një emër tjetër, ndërsa kujton këtu një moment me kolegun e saj Halil Matoshi.

“Më kujtohet kur ishim kolegë dhe Halil Matoshi më thotë – kur u bone ti këngëtare. Në këtë kohë kur kam punu në Zëri, në vitet e 90-ta, këndimi ka qenë njëfarë ëndrre peng dhe e pamundur me u realizu. Unë kam pasur më pas paraqitje në Showfest, në Zambakun e Prizrenit, kam disa albume që nuk janë dalë kurrë, njëri prej tyre është ai me Rebeka Qenën dhe me vëllaun tim, një album që nuk ka dalë kurrë e që është në kasetë të cilën e posedon Rebeka” tregon Eliza.

“Më pas, prindërit i largojnë nga puna ndërsa më kujtohet vëllau im i cili tekstualisht më tha kështu – Unë po shkoj knej se duhet me bo pare për me jetu – dhe këtë e tha kur nisi me bo muzikë me kitare. Garazhën e shtëpisë ne e shndërruam në një dyqan që e pati emrin Liza dhe ku edhe unë me familje shitnim speca, patligjona… sepse rrethanat ishin të tilla” tregon rrëfimin e saj Eliza Hoxha, gjithmonë duke kërcyer nga një realitet tek tjetri dhe nga një peripeci në tjetrën, si një grua që ka jetuar në kohë të ndryshme dhe secilës i është dashur t’i japë diçka prej energjisë dhe entuziasmit të saj.

****

Është interesant se si Eliza ka ditur t’i bashkojë të gjitha fushat e veprimit të saj në një të vetme, shpesh me kryefjalë muzikën. Ajo thotë se një pikë kthese në jetën e saj ishte Belgjike, ku shkoi për studime postdiplomike, e ndoshta sepse atje kishte kohë për të menduar, kishte kohë për të reflektuar dhe mbi të gjitha kjo eksperiencë i shërbeu edhe për ta njohur Prishtinën më shumë.

“Kur kom shku në Belgjikë, atëherë e kom kuptu edhe sa di unë në raport me profesionin tim, me arkitekturën. Aty edhe i kam vërejtë mangësitë e sistemit paralel në Kosovë, duke marrë parasysh se në çfarë kushte kemi mësuar, mirëpo megjihatë ku sistem na ka jepë një bazë sepse përndryshe nuk kishim mujt me marrë bursa dhe me shku me studiu në Belgjikë. Mirëpo ishte një periudhë e mirë sepse pas dy albumeve, vendosa që për kohën sa jam në Belgjikë mos me këndu dhe me u ballafaqu pak edhe me veten time” tregon Eliza.

Eliza më pas nisi edhe të shkruante.

‘Takohem me Memli Krasniqin i cili i shkruante tekstet e këngëve të mia dhe më tha se më nuk do të shkruante për shkak të pozicioneve të tij politike. Kënga ‘Dëshprimi’ ka qenë e fundit që e ka shkruar Memli për mua. Kësisoj, në muzikë unë kom nisë me i shkru tekstet e mia prej zorit, në njëfarë mënyre. Por edhe këtu e kam gjetur veten mirë sepse kanë dalë tekste si Kënga për Prishtinën – e cila ka lindë gjatë studimeve, njëjtë edhe kënga ‘Për ata që s’janë’. Në karrierën muzikore, me plot xixa dhe me lavde të thurura, erdhi një pike kur i thashë vetes se çka kam unë për krejt këto që i kam përjetu; kam pasur këngën “Revolucion” apo “Drejt ardhmërisë” por këto kishin mesazhe të lehta dhe shtjellime të lehta. Kësisoj nisa edhe të shkruaja, por shkrimi më shoqëroi edhe më vonë” tregon Eliza Hoxha. Nuk është e lehtë ta konkretizojmë kah mbahet më shumë Eliza, por ajo ka provuar të këndojë, ka provuar arkitekturën, shkrimin, fotografinë, dhe jo pak herë edhe pjesën e aktiviteteve humanitare dhe vullnetare.

“Temën e diplomës e kam pasur retrospektivën për qytetin e Prishtinës, kur nisa me hulumtim dhe shkrim. Kur erdha në Prishtinë nga Belgjika e pashë se ka tepër pak materiale, dokumente për Prishtinën, në kuptimin e zhvillimit urban, dhe më pas ishim në dilemë me profesorin se a duhet të vazhdoj me këtë temë apo jo. Tema është realizuar megjithatë, por dëshira që të shkruaj për qytetin më mbeti deri në momentin kur u botua edhe libri ‘Qyteti dhe Dashuria’.

****

Gjatë mbrëmjes së ‘KultWoman’, e cila zgjati për rreth 2 orë, Eliza ka treguar shumë skena e frekuenca tjera të jetës së saj.

Ajo ka folur edhe për ekspozitën në Beograd, kur vitin e kaluar u ndal në kufirin Kosovë – Serbi pasi ka bartur me vete disa fotografi të cilat duket se nuk i pëlqyen policisë në kufi.

“Ato fotografi mund të shtypeshin edhe në Beograd, dhe u shtypën prej Nismës për të Drejtat e Njeriut në Serbi. Megjithatë, kur morra ftesën prej Kushtrim Koliqit, i thashë se nëse i ka parë fotografitë dhe prapë dëshiron t’i ekspozojmë atje, jam e pajtimit. Ishte ndjenjë pak e tmerrshme, sikur në kohën e regjimit serb në vitet 90-të, me kontrollën e Policisë në kufi. Aty i gjetën disa fotografi që nuk ju pëlqyen, njëra prej tyre me flamurin kombëtar dhe me flamurin e Kosovës, dhe disa fotografi të tjera të cilat vetëm i larguan. Megjithatë, presioni ka qenë shumë i madh asokohe, edhe prej mediave në Serbi. Madje më kujtohet se një një intervistë njëra prej pyetjeve ishte, – Kush e vrau Oliver Ivanoviqin, për mua absurde si pyetje të më drejtohej mua” tregon Eliza Hoxha kur i rikthehet festivalit ‘Mirëdita Dobar Dan’ kur ajo u ndalua në kufirin Kosovë – Serbi për shkak të fotografive që do t’i ekspozonte në Beograd e të cilat ishin fotografi të luftës së fundit në Kosovë.

Tregimin e plotë të Eliza Hoxhës mund ta shihni në faqen e KultPlus në Facebook.

Eliza Hoxha ishte mysafirja e radhës në kuadër të ‘KultWoman me…’ projekt i KultPlus dhe i financuar në kuadër të ‘Kultura për Ndryshim’ nga Bashkimi Evropian në Kosovë. Para Elizës, të ftuara në këtë format të mbrëmjeve artistike ishin Leze Qena, Pranvera Badivuku, Lejla Pula, Ilire Vinca dhe Zake Prelvukaj.

https://www.youtube.com/watch?v=Pp73jSsnyb4

Të ngjajshme