16 Shtator, 2021 - 8:30 pm
Ylli i muzikës, Elton John, e ka shtyrë turneun “Farewell Yellow Brick Road” në Evropë dhe në Britaninë e Madhe të planifikuar për vitin 2023, pasi që pret t’i nënshtrohet një intervenimi kirurgjikal pas “një rrëzimi të papritur”.
Këngëtari i famshëm 74-vjeçar e ka bërë të ditur lajmin nëpërmjet një postimi në Instagram të enjten, duke shpalosur hollësi për “pikëllimin e thellë” që ndien për faktin.
“Jam rrëzuar në një sipërfaqe të fortë dhe kam pasur dhimbje në ije që nga ajo kohë”, ka shpjeguar John në postim.
Ai e ka kaluar verën me bashkëshortin e tij David Furnish, 58 vjeç, dhe dy djemtë e tyre, në vendpushime evropiane, ku tani ka zbuluar se është rrëzuar.
Në deklaratën e plotë, Eltoni ka treguar: “Me trishtim të madh dhe zemërthyer jam detyruar ta shtyjë turneun e vitit 2021 ‘Farewell Yellow Brick Road’ në Evropë dhe në Britani të Madhe për në vitin 2023”.
“Në fund të pushimit veror u rrëzova papritur në një sipërfaqe të fortë dhe kam pasur dhimbje në ije që atëherë. Megjithë trajtimin intensiv fiziologjik dhe specialist, dhimbja ka vazhduar të përkeqësohet dhe po më sjell vështirësi në lëvizje. Jam këshilluar që të operohem sa më shpejt që të jetë e mundur për t’u kthyer në palestër dhe të sigurohem që nuk ka ndërlikime afatgjata”, ka thënë ai.
John ka shpjeguar gjithashtu se është shtrënguar që ta fillojë trajtimin me fizioterapi intensive, e cila do t’i sigurojë shërim të plotë dhe rikthim në lëvizshmëri të plotë dhe pa dhimbje. Ai ndërkaq ka siguruar se do të vazhdojë që të angazhohet për ngjarjen bamirëse “Global Citizen” më 25 shtator, pasi që ka thënë se nuk dëshiron që t’ia kthej shpinën një organizate bamirëse.
Gjatë muajit korrik, Elton John ishte detyruar që ta shtynte gjithashtu përzgjedhjen e datave të turneut “Farewell Yellow Brick Road Tour”, për shkak të pandemisë me COVID-19.
Adhuruesit e tij në Gjermani, të cilët i kishin rezervuar bileta për ta parë Johin tek performonte në shtator, do të duhet që të presin deri në vitin 2023 për ta parë dhe dëgjuar ikonën e muzikës pop.
Sir Elton edhe vitin e kaluar i kishte shtyrë datat për turneun e paraparë për muajt mars, korrik dhe shtator, për shkak të masave të vazhdueshme që vendoseshin për frenimin e përhapjes së koronavirusit. / KultPlus.com