17 Qershor, 2020 - 3:02 pm
Ikona e muzikës, Elton John, ka thënë se është mahnitur me performancën e një grupi të nxënësve, të cilët e kanë realizuar një version të ri të hitit të njohur të këngëtarit, “I’m Still Standing”, gjatë kohës së karantinës.
Nxënësit e shkollës “Telford Priory School” në Shropshire, që nga muaji mars po krijojnë video kreative së bashku, me ç’rast po sjellin versione të reja të këngëve hite, transmeton Koha.
Coveri i tyre i këngës klasike të vitit 1983, “I’m Still Standing”, i ishte dërguar Elton Johnit nga muzikanti, Ron Sexsmith, dhe menjëherë pasi e ka shikuar, ylli britanik i muzikës ka reaguar në rrjetet sociale me postimin e një mesazhi.
“E kam shikuar videon tuaj tri herë rresht sepse nuk po mund ta besoja sa bukur këndonit dhe interpretonit në instrumente. Ju e keni bërë një punë të mrekullueshme dhe e keni krijuar një version fantastik të këngës ‘I’m Still Standing’. Shpresoj ta keni një karrierë të suksesshme dhe mos harroni, muzika luan rol të madh në arritjet tuaja sepse padyshim që talenti nuk iu mungon,” ka deklaruar John.
Këngëtari i cili e gëzon një sukses të jashtëzakonshëm anembanë botës, gjithashtu u premtoi këtyre nxënësve që do t’i ftojë për të interpretuar si mysafir në ndonjë koncert të tij në Britani të Madhe, sigurisht kur ngjarjet muzikore live të rikthehen pas pandemisë.
Ndërkohë, së fundmi Elton John ka treguar se çfarë muzike po dëgjon gjatë kohës së karantinës, dhe me këtë rast këngëtari ka deklaruar se albumi debutues i Rina Sawayamas, është muzika e tij e preferuar për këtë vit.