29 Mars, 2021 - 2:26 pm
Elton John e ka paralajmëruar një bashkëpunim të pazakontë me grupin “Metallica”, kjo pasi kantautori i njohur britanik i ka bashkuar forcat me bendin ikonik të muzikës metal gjatë karantinës së shkaktuar nga koronavirusi.
Ende nuk dihet nëse ata do ta realizojnë ndonjë këngë të re, por Elton John së fundmi foli shkurtimisht për bashkëpunimin në fjalë duke thënë: “Sapo kam realizuar një projekt me grupin ‘Metallica’. Kemi punuar gjatë periudhës së karantinës. Gjatë kësaj kohë po ashtu kam punuar edhe me grupin ‘Gorillaz’ dhe muzikantë të tjerë me të cilët kemi realizuar këngë shumë të mira. Pra jam fokusuar në projekte më ndryshe nga ato të zakonshmet për mua. Të gjithë të interesuarit për të punuar me mua, do t’ua jap emailin tim ku mund të më shkruani dhe mund të planifikojmë diçka bashkë, në rregull?”.
Derisa John nuk zbuloi shumë rreth këtij bashkëpunimi, këngëtarja Miley Cyrus pak kohë më parë kishte treguar se albumi i saj i ardhshëm me këngë “cover’ të grupit Metallica, do ta përfshinin edhe Elton Johnin duke interpretuar në piano në versionin e saj të ri të hitit “Nothing Else Matters”.
“E kam realizuar një cover të hitit të ‘Nothing Else Matters’ nga ‘Metallica’, pjesë e së cilit është edhe Elton John duke interpretuar në piano. Pra në këtë projekt i kam përfshirë disa artistë të mëdhenj si Yo-Yo Ma dhe Chad Smith, dhe jam shumë e emocionuar për këtë bashkëpunim. Dua të them, ta krijosh një këngë e cila e përfshinë Elton Johnin, grupin ‘Metallica’ dhe mua… më pëlqen shumë kur përbërësit nuk përshtaten me njëri-tjetrin. Pra ky duket një kombinim që nuk do t’i kujtohej dikujt tjetër për ta realizuar, dhe që të dal kënga sa më e mirë të duhet patjetër të punosh me një producent sikur Andrew Watt, i cili do ta ndërmerrte një rrezik të tillë”, citohet të ketë thënë Miley Cyrus.
Bateristi i bendit legjendar “Metallica”, Lars Ulrich, kohë më parë e kishte ndarë në rrjetet sociale një fotografi ku shihet bashkë me Elton Johnin, duke u shoqëruar në prapaskenat e koncertit të yllit të hitit “Rocketman”, në Los Angeles.
Në lajme të tjera, para një jave u bë i ditur lajmi se Dua Lipa dhe Neil Patrick Harris do t’iu bashkohen Sir Elton Johnit dhe bashkëshortit të tij, David Furnish, në ndejën e përvitshme “Elton John AIDS Foundation” që tradicionalisht organizohet pak para ceremonisë “Oscar”.
Ylli i hitit “Levitating” do të performoj në këtë ngjarje e cila mbahet më 25 prill në formatin virtual, dhe e cila do të prezantohet nga aktori 47-vjeçar Neil Patrick Harris, dhe emra të tjerë të showbizit të cilët edhe nuk janë bërë publik.
“Është një nderë i madh të jem pjesë e një prej ndejave më ikonike para ceremonisë ‘Oscar’, dhe jam shumë krenare ta mbështes fondacionin ‘Elton John AIDS Foundation’ dhe të ndihmoj në trajtimin e stigmës që ekziston rreth HIV-it, pasi kemi nevojë për ta ndërtuar një botë më të mirë dhe më pranuese për të gjithë. Dhe ta ndajë skenën me Elton Johnin do të jetë një ëndërr e shndërruar në realitet për mua,” citohet të ketë thënë Dua Lipa, në prononcimin e saj për publikun.
Për herë të parë në historinë e kësaj ngjarjeje, përkrahësit e fondacionit janë ftuar ta ndjekin këtë ndejë të famshme që zë vend para ceremonisë së shpërblimeve prestigjioze “Oscar”, në formë virtuale. / KultPlus.com