8 Qershor, 2018 - 6:00 pm
Era Istrefi, këngëtarja e njohur nga Kosova është vetëm 24 vjeçare ndërsa ka arritur të jetë zëri i kampionatit botëror përkrah emrave të njohur botëror, shkruan KultPlus.
Era Istrefi e lindur dhe e rritur në Prishtinë, është shquar gjithnjë për stilin e saj të veçantë. Depërtimi i saj në skenën muzikore shqiptare edhe ka sjellë një frymë të re artistike kur ajo u shfaq së pari me këngën “Mani për Money” në vitin 2013. Pasuar nga këngë të tjera që u mirëpriten si “E dehun”, “ A po don”, “13”, “Njo si ti” e deri tek kënga “Bonbon” që e ngriti karrierën e Era Istrefit në një nivel tjetër. Kjo këngë cilësohet si vulë e suksesit të këngëtares Istrefi, e cila është edhe autore e shumë këngëve të saj.
Kënga “Bonbon”, bëri që Era Istrefi të cilësohej si një miksim i dy këngëtareve të njohura Rihanna e Sia. Pas këtij suksesi, ajo lidhi kontratë me shtëpitë e mëdha diskografike amerikane Sony Music Entertainment dhe Ultra Music në shkurt 2016. Më datë 24 Shkurt 2017, Era Istrefi publikon videoklipin “Redrum”, në bashkëpunim me Felix Snow, ndërsa më datë 29 Shtator 2017, Era Istrefi publikon videoklipin “No I Love Yous”, në bashkëpunim me French Montana dhe së fundmi ajo ka publikuar dy këngë të reja “Orgami” dhe “Prison”.
Megjithatë, Era Istrefi arriti edhe një herë të kap vëmendjen e botës duke qenë pjesë e himnit të kampionatit botëror, përkrah Will Smith e Nicky Jam. Ky sukses e fut Era Istrefin në mesin e artistëve më të njohura si Shakira, Jennifer Lopez, Anastacia e Jason Derulo.
Babai i Eres ishte gazetar dhe quhej Nezir Istrefi, ndërsa nëna e saj ka qenë dikur këngëtare dhe quhet Suzana Tahirsylaj. Ka një vëlla të vogël qe quhet Bledi dhe dy motra Nita dhe Nora Istrefi, e cila është po ashtu këngëtare dhe ka ndikuar në hapat e parë të karrierës muzikore të Era Istrefit. / KultPlus.com