Eranda Libohova rikthehet pas 17 vitesh në Festivalin e TVSH-së me këngën “100 pyetje” (VIDEO)

12 Dhjetor, 2018 - 1:56 pm

Ka nisur prezantimi i këngëve të këtij edicioni të Festivalit të Televizionit Shqiptar. Gjatë ditëve në vazhdim ne do të sjellim një e nga një bagazhin artistik të këtij edicioni.

Në Festivalin e Këngës të vitit 1986 kënga “Ku vajti vallë ai djalë” u shpall fituese e vendit të dytë ndërsa ylli i muzikës kishte nisur rrugën drejt sukseseve të mëdha. Eranda Libohova do t’i jepte origjinalitetin e saj duetit me të motrën, Irmën, si dhe çdo kënge tjetër të interpretuar prej saj duke e shndërruar në një artiste mjaft të dashur për publikun. Ky duet do të pasohej nga një tjetër vetëm një vit më vonë, “Nuk e harroj” e Agim Krajkës do të rrëmbente çmimin e parë. Si këngëtare solo Eranda do të ngjitej në skenën e Fest’ 28 me këngën “Mijëra zëra në zërin tim”.

Një tjetër sukses është ai i vitit 1996 me këngën “Kthehu për vete, për mua”. Të tjera do të pasonin si çmimi i interpretueses më të mirë me këngën “Bota iluzion” në vitin 1997, vendi i dytë me “Apokalips” sërish duet me Irma Libohovën dhe vendi i dytë në Fest’ 40 me këngën “Më prit”. Eranda Libohova rikthehet në Festival pas 17 vitesh, këtë herë me këngën “100 pyetje” me muzikë të Gent Myftarajt dhe tekst të Pandi Laços.

Në ndërkohë do t’i dëgjojmë edhe këngët tjera që konkurrojnë në këtë festival, i cili fituesin e dërgon për përfaqësim në Eurovizion, në Izrael. Festivali zhvillohet në datat 20-21- 22 dhjetor në Pallatin e Kongreseve. /KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=VOfGDXlXb0A

Të ngjajshme