20 Qershor, 2019 - 10:30 am
Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare është mbajtur koncerti recital me flaut dhe harpë nga Erëmira Çitaku dhe Cagatay Akyol, shkruan KultPlus.
Herë Çitaku dhe Akyol, e herë të dy bashkë, në mbrëmjen e së mërkurës e kanë mbajtur nën emocione të vazhdueshme audiencën e tyre.
Koncerti që ishte i shoqëruar nga flauti i Erëmira Çitakut dhe harpa e Cagatay Akyol, është udhehequr nga kompozitorja kosovare Dafina Zeqiri Nushi, e cila përmes tyre prezantoi premierën botërore të këngës “Flowing”. Koncerti është realizuar në bashkëpunim me festivalin “Tingujt e Flautit”, i cili si projekt ka filluar të realizohet me hapjen e konkursit ndërkombëtar për pranim të veprave të reja te faqja e internetit “Composer’s Site”, konkurs ky i cili zgjati dhy muaj. Konkurs i cili na dha veprat nga kompozitorja amerikane Rain Worthington dhe kompozitori JinHee Han.
Mbrëmja ka filluar me këngë nga kompozitori polak Witold Roman Lutosławski, të ekzekutuara me ëmbëlsinë që Erëmira i jepte flautit. Çitaku ka shpjeguar bashkëpunimin e ngushtë me Akyol dhe mënyrën se si janë zgjedhur këngët që do të luheshin.
“Veprat që po përcillen nga harpa dhe flauti im i kemi zgjedhur në bashkëpunim me Akyol, dhe janë këngë që ia nxjerrin gjithë zërin dhe potencialin artistit, si harpës si flautit”, ka treguar Çitaku. Këngë si “Cafe 1930” nga kompozitori argjentinas Astor Piazzolla dhe “Entr’acte” nga kompozitori francez Jacques Jbert kanë arritur të tregojnë hitoritë e tyre dhe të na vënë përballë emocioneve më të forta.
Duke e përkëdhelur ngrohtë dhe me shumë finesë harpën, instrumentisti turk Cagatay Akyol ka performuar dhe një pjesë solo. Mund të ndjehej dashuria që ka për harpën teksa tregonte një histori pas çdo kënge që performonte.
“Harpa është një nga instrumentet më të vjetra dhe të bënë ta ndiesh çdo emocion” ka thënë Akyol para se ta ekzekutonte në harpë këngën si “La saurce”, “5 Danse ungariese” dhe “Hittie Suitti”. Përveç performancës së jashtëzakonshme të tij, pas çdo kënge ai tegonte për autorin, për vitin dhe rrethanat se kur është shkruar kënga dhe emocionin që i sjellë atij secila këngë e zgjedhur. “Të gjithë këta janë kompozitorë të viteve 1800 dhe 1900, që ishin jo vetëm njohës të mirë të muzikës por edhe të dashuruar marrëzisht pas saj” ka thënë Akyol. Të pyetur nga KultPlus për përgatitjet Akyol është shprehur se kanë punuar shumë. “Kjo është një muzikë për një audiecë me shije të hollë dhe të dhënë pas detajeve prandaj na është dashur të punojmë e të ushtrojmë shumë që gjithcka të jetë perfekte.” ka thënë Akyol.
Koncerti dhe i gjithë projekti është mbështetur nga programi Kultura për ndryshim, zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës, Qendra Multimedia dhe Instituti Gëte.
Përkrahës të tjera kanë qenë Komuna e Prishtinës, Filharmonia e Kosovës dhe Biblioteka Kombëtare. Rrona Jaka/KultPlus.com