Ermal Meta: Çdo ditë kur zgjohem, zgjohem me ndjenjën që po filloj nga e para

31 Dhjetor, 2018 - 11:30 pm

Është një prej artistëve më të arrirë shqiptarë, por ai edhe më tutje vazhdon të qëndrojë me të dy këmbët në tokë. Me një kujdesë të madh dëgjon pyetjet,  përderisa po me kaq kujdesë përgjigjet në intervistën e fundvitit të dhënë ekskluzivisht për KultPlus. Ermal Meta, shqiptari që triumfoi festivalin më prestigjioz në Itali, ka rrëfyer për KulPlus që nga kujtimet e fëmijërisë, atëherë kur edhe e la Shqipërinë e deri te dëshira e tij të performojë në Kosovë. Ai ka folur edhe për rolin e nënës së tij në karrierën e tij muzikore, sikurse edhe për tri ngjitjet e tij në skenën e Sanremos.  

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Ju ikët nga Shqipëria kur ishit shumë i vogël, me çfarë fotografie e kujton Shqipërinë, atëherë kur edhe ike nga ky vend?

Ermal Meta: Atëherë kur u ngjitëm në traget, kjo është gjëja që mbaj në mend prej atëherë.  Shikoja atë shkumën e bardhë që krijohet nga qarja e detit, dhe shikoja atë shkumë se si e linim prapa, dhe në të njëjtën kohë, përderisa shihja shkumën e bardhë, mbaj në mend që Shqipëria më zvogëlohej, zvogëlohej pak nga pak, deri sa nuk e pashë më. Këtë kujtim e kam shumë të fortë.

KultPlus: Shqipëria e atëhershme ishte e vështirë dhe kujtimet mund të mos jenë të bukura, mgjithatë, a mund të na tregosh anën e bukur të asaj kohe?

Ermal Meta: Shokët, fëmijët e asaj periudhe janë pjesa më e bukur e asaj kohe. I mbaj në mend shumë mirë shokët e fëmijërisë, me shumë mall. Sepse kur ika, ika sikur kur ikë era me shiun, dhe nuk pata kohë që të përshëndetem me ta, edhe pse i takova disa vite më vonë.

KultPlus: Kurse tashti, Shqipëria është e bukur sepse me të vërtetë është e bukur, apo tashmë ju jeni në një pozitë tjeter dhe nuk e shihni pjesën e errët të Shqipërisë?

Ermal Meta: Çdo vend ka errësirë dhe ka dritë. Edhe Shqipëria vazhdon ti ketë që të dyja anët, sikurse çdo vend i botës. Shqipëria në këtë moment është me një gjendje më të mirë se sa në vitet e 90-ta, atëherë kur ika unë. Ka shumë gjëra që mund të përmirësohen por është goxha më mire se sa para 20 viteve.

KultPlus: Do ta doje edhe më ndryshe Shqipërinë?

Ermal Meta: Çdo gjë do kohën e vet.

KultPlus: Ne intervistat e mëhershme është thënë që je kthyer shumë rrallë në Shqipëri, kurse tashti vizitat janë shtuar dukshëm, çfarë ka ndryshuar me këto vizita?

Ermal Meta: Mund të jetë një koincidencë. Erdha sepse bëra koncertin, pastaj u ktheva prap për Festivalin e Këngës në RTSH.  Dhe jam shumë i nderuar edhe për koncertin e qershorit, por edhe për kthimin tim në festival, nuk kam asnjë arsye për të mos u kthyer në Shqipëri.

KultPlus: Flasim për Sanremo, Sanremo konsiderohet të jetë një dashuri e shqiptarëve dhe një festival që është shijuar vetem nga ekranet bardh e zi. Pastaj ishte Anna Oksa, Elsa Lila, po triumfi më i madh ishte suksesi i juaj. Si e përshkruani krejt këtë rrugëtim?

Ermal Meta: Hera e parë kur u ngjita në skenën e Sanremos,  ishte viti 2016, dhe unë luaja në kitarë me një grup, nuk këndoja, dhe edhe ajo ngjitje me kitarë në atë skenë të madhe ishte mjaftueshëm,  dhe në të njëjtën kohë isha jashtëzakonisht i emocionuar, sepse Sanremo jo vetëm për shqiptarët por edhe për italianët është një pikëarritje që e synojnë të gjithë artistët. Edhe unë as që e kuptova që e arrita atë magji të asaj skene, mbase ishte edhe fat, sepse, atëherë nuk kisha edhe shumë eksperiencë, kisha pak talent por jo shumë eksperiencë.

Për dallim prej herës së parë që nuk e kuptova shumë mirë rëndësinë e ngjitjes së parë në skenën e Sanremo, hera e dytë ndodhi në vitin 2010, dhe mbaj mend se ishte një gjë e tmerrshme, sepse kisha shumë emocione. Pastaj kur u ktheva herën e tretë, isha më i sgurtë dhe më i qetë, ku edhe fitova.

KultPlus: Keni përmbushë ëndrrën me Sanremo, apo është shumë herët të flasim për ëndrra?

Ermal Meta: Ëndrrën me Sanremo e përmbusha sepse e fitova, por unë, çdo ditë kur zgjohem nga gjumi, zgjohem me ndjenjën se po filloj tani nga e para, nuk e ndjej vetën të përmbushur, të arrirë, sepse kam edhe shumë për të bërë.

KultPlus: E konsideron vetën të famshëm?

Ermal Meta: Nganjëherë po, nganjëherë jo.

KultPlus: Çfarë do të thotë fama për ju, të ngulfatë apo është një privilegj të jeshë i famshëm?

Ermal Meta: Fama është shumë e ndryshme nga suksesi, janë dy gjëra të ndryshme, shumë njerëz mund të të njohin për të famshëm, por mbase nuk mendojnë mirë për ty, kurse suksesi është gjë tjetër, sukses është atëherë kur e bën mirë punën tënde, kur je i mirë në kreativitetin tënd. Kur përmbyllet suksesshëm çfarëdo gjëje që ke luftuar, që ke punuar.

KultPlus: Muzika që krijoni, dallohet për një shije të hollë, kujt ia dedikon këtë ndërtim tuajin në këtë shije mizikore?

Ermal Meta: Mamaja ime është violiniste dhe prej saj e kam kultivuar muzikën, pastaj jam lidhur ashtu, gjithmonë e kam ndjerë muzikën në një mënyrë shumë të fortë. Sapo me erdhën mundësitë formova një bend, qysh kur kam qenë 15 vjet, ku edhe kam punuar në këtë drejtim.

KultPlus: Njëherë pata lexuar që ke falënderuar mamanë tuaj që të ka mësuar të mos bindesh, na shpjego më shumë, cili ishte Ermali i pabindur?

Ermal Meta: Po është e vërtetë. Mënyra se si më ka mësuar ajo, unë asnjëherë nuk e pranoj se çdo gjë është e shkruar, unë mendoj se fati jemi ne, dhe ne jemi ata që e ndërtojmë të ardhmen tonë.  

KultPlus: Mendon që kjo karakteristikë e mosbindjes është tipike e shqiptarëve?

Ermal Meta: Këtë nuk e di, është karakteristikë e imja. 

KultPlus: Dhe krejt për fund, na trego diçka për Kosovën, a keni qenë ndonjëherë dhe a planifikoni të prezantoheni me ndonjë koncert?

Ermal Meta: Nuk kam qenë ndonjëherë në Kosovë, kam shumë shokë që më kanë folur shumë mirë për Kosovë, po nuk kam qenë ndonjëherë. Mbase do të vij me ndonjë koncert, me shumë dëshirë./KultPlus.com  

Të ngjajshme