Ermal Meta: Nuk dua ta fsheh se jam shqiptar, jam krenar me rrënjët e mija (VIDEO)

13 Shkurt, 2018 - 4:13 pm

Ermal Meta, fituesi i Sanremos, pas triumfit të madh është shprehur për herë të parë për mediat shqiptare në një interviste telefonike në emisionin “Wake Up” në Top Channel, shkruan KultPlus.

Këngëtari shqiptar theksoi se “sa herë që nxjerr një këngë mendoj se është më e mira”, por nuk priste të fitonte festivalin e këngës italiane me “Non mi avete fatto niente”, edhe pse ishte këngë me “mesazh shumë të fortë”.

I pyetur se si erdhi deri tek bashkëpunimi me këngëtarin Fabrizio, ai tregoi se ai e kishte kontaktuar fillimisht dhe i kishte kërkuar bashkëpunimi.

“Fabrizio më kontaktoi në qershor mua. Ai më ka pëlqyer gjithmonë si artist dhe pranova menjëherë. Pas atentatit në koncertin e Ariana Grande, fansat kishin frikë të vinin në koncertet tona, por kur e lë veten në dorë të frikës… Prandaj vendosëm të merrnim pjesë me këtë këngë”, shpjegoi Meta.

I pyetur për historinë e pezullimit të këngës në fillim, Ermal Meta tha se asnjë sekondë nuk kishte menduar të dorëzohej nga pjesëmarrja në Sanremo.

“Unë nuk kishte shkuar në Sanremo për të hequr dorë, si karakter që nuk heq dorë me lehtësi. Nuk shkoj mbrapsht, kur shkoj mbrapsht shkoj për të marr vrullin. Ne kishim të drejtë sepse ne e kishim deklaruar që ajo këngë kishte një refren që merrej nga një këngë tjetër, e të njëjtit autor që kishte shkruar këngën tonë”, është shprehur Meta gjatë kësaj interviste. Ai shtoi se gazetarët e kishin përdorur këtë për t’i akuzuar, pasi që është e të njëjtit grup, është si t’i thuash dikujt se ke vjedhur në shtëpinë tënde.

Në fund, Meta deklaroi se është shqiptar dhe kjo gjë nuk fshihet dot dhe as nuk ka dëshirë që ta fshehë, “Nacionalizmi është një gjë e këndshme sepse unë jam shqiptar, kjo është një gjë që nuk dua ta fsheh sepse jam krenar për rrënjët e mia por nga ana tjetër çdo njeri përfaqëson veten e vet”,ka thënë krejt në fund të intervistës Ermal Meta./ KultPlus.com

Të ngjajshme