Ermal Meta zbulon detajet e koncertit në Tiranë: Kanë prenotuar bileta nga Italia, Rusia, Bullgaria e Turqia

8 Shtator, 2021 - 8:00 pm

Këngëtari me origjinë shqiptare, Ermal Meta zbuloi disa detaje në lidhje me koncertin që do të mbajë më 17 shtator në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Meta tregon se hapjen e koncertit do e bëjë këngëtarja Elhaida Dani.

“Do të vij në datën 15, tani jam ende në Itali. Mezi pres. Jam shumë i emocionuar, zakonisht nuk ndjej këtë lloj emocioni, jam mësuar, kam bërë shumë koncerte. Por në Shqipëri emocioni është i veçantë. Kanë prenotuar për në koncert nga Italia, Rusia, Bullgaria, Turqia. Jam shumë i lumtur për këtë. Do të jetë një artiste, Elhaida Dani, që hap koncertin”, sqaroi Ermal Meta gjatë një interviste televizive.

Ermal Meta, i cili jeton dhe ushtron veprimtarinë e tij artistike në Itali, rikthehet pas tri vitesh në turin e tij të ri muzikor në Tiranë, ku dhe do të mbajë një koncert në stadiumin Air Albania.

Ky do jetë koncerti i parë që organizohet në stadiumin e ri në kryeqytet.

Biletat janë pa pagesë. Respektohen të gjitha rregulloret antikovid, dhe do të mbahet në 30 % të kapacitetit. Organizohet nga ambasada italiane në bashkëpunim me bashkinë Tiranë dhe FSHF. / KultPlus.com

Të ngjajshme