Ermonela Jaho me “Anima Rara” në krye të klasifikimeve në platformat digjitale

28 Shtator, 2020 - 8:34 pm

Vetëm tre ditë pas publikimit të albumit të saj “Anima Rara”, sopranoja shqiptare Ermonela Jaho ndodhet e para në listën e “Warner Classic” “Operat që duhet t’i dëgjosh” në disa nga platformat digjitale si: Spotify, iTunes & Deezer.

Sopranoja jonë me famë botërore Ermonela Jaho e ka rregjistruar këtë album që përmban 70 minuta muzikë, nëntorin e vitit të kaluar në Palau de les Arts Reina Sofia de Valencia (Spanjë)Për këtë album debutues ylli i skenës lirike Jaho bashkëpunoi me “Orquestra de la Comunitat Valenciana” nën drejtimin e dirigjentit Andrea Battistoni.

Albumi “Homazh Rosina Storchio-s. Anima Rara” sjell bashkë në një përmbledhje të vetme muzikën që ka kënduar sopranoja italiane Rosina Storchio, e njohur edhe për krijimin e rolit të Cio-Cio San në kryeveprën e Pucinit “Madama Batërflai” kur ajo u interpretua premierë në vitin 1904 në La Scala të Milanos.

Në këtë përmbledhje Ermonela interpreton ariet e Puçinit (“Un bel dì vedremo”, “Con onor muore… Tu? Tu? Piccolo Iddio” de Madama Butterfly), Leonkavalos (“Musette svaria sulla bocca viva”, “Mimì Pinson, la biondetta” de La bohème), Maskanjit (“Un dì (ero piccina)” de Iris; “Ah! Il suo nome!… Flammen, perdonami” de Lodoletta; “Son pochi fiori” de L’amico Fritz), Massenet (“Pendant un an je fus ta femme”; Prélude Acte V y “Demain je partirai” de Sapho; “Allons! Il le faut… Adieu, notre petite table” nga Manon), Giordano (“Nel suo amore rianimata” de Siberia), Verdi (“Teneste la promessa… Addio del passato” de La traviata) dhe Catalani (“Ebben? Ne andrò lontana” de La Wally).Albumi doli në 25 shtator dhe u lancua fillimisht në orën 18.00 të kësaj date në faqen e FB të Opera Raras.

Ndërkohë “Sopranoja më e famshme në botë” sipas “The Economist”, apo “Madama Batërflai më e mirë që Londra ka parë në shumë vite” sipas “Independent”, e “ Paraqitjes triumfuese në Madama Batërflai” sipas the “Guardian” ndodhet në Greqi.Shfaqja do të mbahet në datën 10 tetor në Sallën Stavros Niarchos të Operës Kombëtare të Greqisë.

Ja si e përshkruante vetë Teatri i Operës së Greqisë pjesëmarrjen e divës shqiptare: “E vetmja Ermonela Jaho, një nga sopranot më të rëndësishme të planetit është tashmë në Athinë për provat Madama Butterfly me Teatrin Kombëtar të Greqisë”.

Të dielën sopranoja shqiptare ishte në kopertinën e revistës “ΒΗΜagazino” e cila i kushtoi një vend të veçantë në faqet e saj me rastin e intervistës së parë të Ermonelës për një media greke.

Shitja e biletave ka nisur tashmë si për këtë shfaqje po ashtu edhe për shfaqjet e sezonit tetor – dhjetorit, te cilat ende rrezikojnë të mos mbahen për shkak të numrit në rritje te rasteve me COVID, cka mund të sjellë një karantinë të dytë për Athinën./ KultPlus.com

Të ngjajshme