26 Janar, 2021 - 3:45 pm
Sopranoja e famshme Ermonela Jaho, në një intervistë për Euronews Albania flet për çmimin e saj më të fundit por dhe krizën e madhe që ka përfshirë artin si pasojë e pandemisë. Artistja e madhe tregon nga Barcelona dëshirën që ka për të kënduar në Shqipëri menjëherë sapo teatrot të hapin dyert. Ermonela Jaho mori çmimin e parë në kategorinë e muzikës vokale në Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike (ICMA) me albumin “Anima Rara”.
“Ky çmim është një rezultat i një pune kolosale e bërë në vite të gjatë kështu që unë sinqerisht nuk e prisja, jeta më ka mësuar që të mos kem asnjë lloj pritshmërie, përveçse nga vetja ime për tu përmirësuar, për tu bërë një artiste më e mirë në të gjitha drejtimet. Kështu që qe një fitore një lajm jashtëzakonisht i bukur dhe po e shijoj me qetësi. Ndoshta eksperienca e jetës më ka mësuar këtë gjë, ti marr gjërat me pasion përsa i përket zanatit përsa i përket çdo lloj gjëje që bëj por është një hap i rëndësishëm dhe fryti i një pune kolosale dhe më jep një përgjigje që ajo që kam qenë paska qenë në rrugën e drejtë mund të them. Kështu që jam shumë e lumtur dhe e ndaj këtë gëzim me të gjithë ju, një punë kolosale që kam bërë dhe gurpi me të cilin kemi punuar i Anima Rarës, Opera Rara, me të gjithë kolegët dhe gjithashtu dhe ajo fotografia e ‘cover’ të CD-së është bërë nga fotografi i mirënjohur Fadil Berisha, kështu që doja dhe një pjesë të patriotizmit mund të them dhe pse sot mund të tingëllojë si një mënyrë pak e çuditshme”.
Ne në fakt jemi të lumtur gjithashtu për suksesin tuaj, por ka qenë një sukses në një periudhë të vështirë, pasi pandemia ka prekur çdo cep të globit e gjithashtu ka prekur dhe artin. Si e keni përjetuar ju këtë periudhë e gjithashtu dhe kolegët tuaj?
Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë për të gjithë, po për ne artistët personalisht, nxorri në pah atë vulnerabilitetin e të qënurit artist që zakonisht në mënyrë pakëz të gjuhës së përditshme e marrim si një lloj argëtimi, por e kupton që është një nevojë shpirtërore. Për mua personalisht dhe jo vetëm për mua, po shumë artistë sepse kemi komunikuar, ka qenë një gjendje që nuk gjej dot fjalë, diçka shumë e vështirë dhe nga ana shpirtërore sepse arti bëhet me publikun, ajo energjia që ti ndjen nga publiku, nga një ‘performance’ që ti e bën në skenë me prezencën e publikut është një shkëmbim energjish humane. Dhe nga një ditë në tjetrën ti gjendesh i ndaluar totalisht, ka qenë e vështirë. Ka pasur momente që kam menduar që nuk shërbej më. Pra, ekzistenca ime nuk kishte më kuptim dhe kanë qenë momente të vështira, shummë ngjyra emocionale, por jam përpjekur sepse ai pasioni i vërtetë i brendshëm është një nevojë shpirtërore dhe përpiqesha të jetoja në një ëndërr sikur po e bëja këtë produksion që ishte anuluar, dhe kam punuar e punuar dhe jam përpjekur të shfrytëzojë këtë karantinën tetë mujore, përsa më përkiste, për tu përmirësuar nga ana artistike. Kam kuptuar shumë gjëra, që asgjë nuk merret si e dhënë dhe çdo moment i bukur i jetës duhet vlerësuar sepse nuk jemi të përjetshëm dhe çdo gjë mund të mbarojë nga momenti në moment. Dhe ajo që kam kuptuar është që çdo gjë duhet ta bëjmë së bashku. Muzika është një mësim i jashtëzakonshëm, unë them për të gjithë për politikanët, po për të gjithë humanitetin. Muzika ka vetëm një qëllim që e bëjmë për të dëgjuar njëri tjetrin. Dhe si jeta, çdo gjë duhet ta kalojmë duke qenë krah njëri tjetrit. Kjo do të thotë respekti për njëri-tjetrin, vlerësimi për njëri tjetrin dhe momenti që do të kemi këtë lloj empatie me njëri tjetrin atëherë në çdo lloj momenti disastroz, çdo gjë kalohet kur luftojmë e punojmë së bashku drejt asaj zgjidhjeje. Kështu që, arti muzika a qenë një mësim i atillë mund të them dhe uroj ta kemi mësuar të gjithë këtë mësim, sidomos në këtë periudhë kaq të vështirë.
Një mesazh shumë i bukur dhe shumë i vlefshëm ky znj. Jaho, por le të mbetemi pak tek ato projekt që u anuluan. Viti 2020 ishte anulim i shumë planeve dhe projekteve që kishim secili prej nesh. Për ju cilat ishin ato projekte që mbetën të parealizuara?
Unë kam pasur një ritëm, gjithmonë i them vetes, si puna e asaj makinës që vetëm është në garë dhe nuk ndalon dhe të ndalosh në një mënyrë të atillë ka qenë shumë traumatike. Dhe nisi në France, dhe me radhë kanë qenë tetë produksione nga Londra, nga Parisi, nga Gjermania, në shumë vende të botës. Kanë qenë tetë muaj mjaft të vështirë. Po te produksione të anuluara, atëherë kur nuk e prisja në shtator kam pasur një propozim nga opera greke që do inauguronin operën greke dhe e inaugurova me rolin e “Madam Butterfly” që e kam kaq të dashur për veten, dhe ka qenë e çuditshme sepse pas tetë muajsh duke mos qenë në skenë, jam ndjerë si ajo fëmija i vogël që gëzon për ato gjërat më të bukura. Në provën e parë që kam pasur pas tetë muajsh të këndoja në skenë, të këndoja me kolegët e mi, nuk pushoja së kënduari. Mbaroi prova muzikale, se opera zgjat tre orë, pas atyre tre orësh doja të këndoja e të mos pushoja dhe aty me lot në sy kam thënë nuk duhet marr si e dhënë absolutisht asgjë. Dhe aty fillova dhe ëndërrova përsëri, se ne artistët ëndërrojmë gjithë kohës dhe atë ëndrrën e kanalizojmë në skenë. Nisi në Greqi dhe nga shtatori të jem e sinqertë deri në këtë moment nuk kam ndaluar, kam kënduar në Greqi në “Madame Butterfly”, në Mynih që qëlloi ka qenë një shfaqje historike mund të them, përpara se të ndodhte mbyllja e dytë në Gjermani ku numri i spektatorëve ishte 50, në një opera të madhe ku më shumë ishin artistë sesa spektatorë. Por ajo forca e dëshira e drejtorit të teatrit dhe operas që donte që ta jepte dhe qoftë me një person në publik do e mbante hapur për të dhënë një mesazh që arti nuk është thjesht një argëtim po një nevojë shpirtërore. Rasti donte që si kolegun tim të kisha Saimir Pirgu kështu që u bëmë së bashku në atë shfaqje historike vetëm me 50 veta publik. Më pas jam këtu në Spanjë ku është i vetmi vend e i vetmi shembull mund të them që ka mbajtur dhe ka rrezikuar duke mbajtur ato rregullat minimale për të bërë që kjo gjë të funksionojë, me gjysëm kapaciteti të publikut në teatër, kemi bërë që shfaqjet të vazhdojnë. Unë kam kënduar “Madame Butterfly”, kam kënduar këtu në Barcelonë një shfaqje të Traviatës dhe tani jam gjatë produksionit të Hoffman me publik dhe është diçka surreale sepse kemi kolegët që na shkruajnë në vende të tjera të botës ku teatrot janë mbyllur dhe këtu jeta teatrale vazhdon, me ato limitet që mund të ketë por po jetoj akoma këtë ëndërr dhe në një farë mënyrë sikur u zgjuam se asgjë nuk ndodh përjetë, as e keqja dhe as e mira. Kështu që duhet jetuar momenti dhe në këtë moment e ndjej veten shumë me fat në krahasim me kolegët e mi që po e vuajnë këtë gjë. Kam pasur shumë nga kolegët që janë tërhequr nga ky zanat, duke pasur familje për të ushqyer.
Shqipëria është jo vetëm në agjendën time si program profesional po është në shpirtin tim. Unë e them gjithmonë, zgjohem dhe më zë gjumi me lajmet nga Shqipëria. Uroj sa më shpejt që të vij të këndoj në Shqipëri për publikun tim shqiptar dhe për të dhënë një mesazh për brezin e ri sepse kjo kohë heq çdo lloj shprese, çdo lloj ëndrre, duken gjërat të pamundura, po asgjë nuk është e pamundur. Siç dola unë, ashtu siç kanë dalë shumë artistë të tjerë. Askush nuk ia ka dalë pa vështirësi, duhet të vuash është ai rrugëtimi i vështirë që të kapësh atë ëndrrën. Sa më e madhe të jetë ëndrra aq më i vështirë është dhe rrugëtimi. Sa herë vij e këndoj në Shqipëri ose kur kam hapur dhe master klaset ku përpiqem të vij të jap kontributin tim me këngëtarët e rinj këtë gjë u them. Se i shoh nga njëherë të demotivuar, ose sikur nuk ka një shpresë për të ardhmen. Nëse e do një gjë aq fort, duhet një dedikim total, kushdo qofshin vështirësitë. Ato vështirësi të bëjnë më të ndjeshëm dhe ke çfarë thua, se artistë pa një shpirt të ndjeshëm e të torturuar nuk ka çfarë thotë në skenë, nuk rezonon dot me publikun. Siç e arrita unë ashtu mund të arrijë çdokush tjetër, sepse ajo puna, pasioni dhe nëse ti beso në mënyrë kaq të verbër, më besoni asaj forcës tënde të vullnetit për të arritur ëndrrën tënde dhe universi do të shtyjë për ta realizuar. Unë i besoj kësaj gjëje sepse më ka ndodhur.
Ky është një mesazh shumë i bukur….
Asnjë nuk duhet të humbasi shpresën, sepse asnjë nuk do të jetojë gjithmonë. Dhe nuk duhet të ndalojmë së ëndërruari. Ka punën pas krahëve, po asnjëherë nuk duhet të ndalojmë së ëndërruari. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com