28 Qershor, 2021 - 11:29 am
Filarmonia Klasike e Bonn-it në Gjermani ka zgjedhur violinisten e famshme me origjinë shqiptare, Ervis Gega-Dodi si Drejtuese të Përgjithshme të saj. Bordi drejtues i Filarmonisë votoi unanimisht. Lajmi u publikua zyrtarisht dhe në mediat gjermane.
Violinistja Gega-Dodi zgjidhet në këtë mënyrë pasardhëse në post e dirigjentit të njohur gjerman, Heribert Beissel, i cili e themeloi Filarmoninë Klasike të Bonn-it dhe e drejtoi atë vetë, mbi 50 vjet me radhë, transmeton KultPlus.
Ishte porosia e fundit e dirigjentit Beissel, para së të ndërronte jetë pak javë më parë, që Gega-Dodi të marrë përsipër drejtimin e Filarmonisë Klasike të Bonit. “Sepse ajo ka aftësitë muzikore dhe përvojën…Përveç kësaj, emri i saj është shumë i njohur në qarqet artistike, me të cilat ajo është e lidhur shumë mirë ”, shkruhej ndër të tjera në amanetin e prof. Beissel, transmeton tutje KultPlus.
Filarmonia Klasike e Bonit performon në sallat më të famshme muzikore të Gjermanisë, midis të tjerash me shumë sukses me serinë e repertorit të Klasikës Vjeneze (Wiener Klassik).
“Ne do ta vazhdojmë serinë e Klasikës Vjeneze. Dhe do ta përdorim skenën për artistë me famë ndërkombëtare, si dhe si trampolinë për dirigjentë të rinj, të talentuar”, u shpreh Ervis Gega-Dodi pas marrjes së drejtimit të Filarmonisë Klasike të Bonn-it. / KultPlus.com