Erza Muqolli mahnitë audiencën në Prishtinë, mbi 500 persona të pranishëm në koncert

31 Korrik, 2019 - 4:10 pm

Xhemile Hysenaj

E magjishme! Kjo është fjala e duhur për ta përshkruar performancën e mbrëmshme të Erza Muqollit në Prishtinë.

Me një zë kumbues, të mahnitshëm e me një fuqi artistike të paparë, Erza argëtoi publikun kosovar për herë të parë, në sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare.

300 ulëse u mbushën dhe rreth 200 të pranishëm të tjerë shijuan koncertin e Erzës, një udhëtim nëpër muzikën dhe jetën e saj.

Kjo mbrëmje nisi me prezantimin e një videoje në monitor ku u shfaqën shkrimet të cilat KultPlus, organizator i kësaj mbrëmjeje, ka realizuar pas çdo suksesi të Erzës ndër vite. Dalja në skenë e moderatorit Arbër Selmani, redaktor në KultPlus, ishte një tjetër shenjë që tashmë gjithçka ishte gati.

‘Qielli i kulturës nuk e njeh fundin. Nën këtë qiell jeton edhe KultPlus, gati për të qenë arma më e fortë e gazetarisë kulturore ndër shqiptarë. Aty ku suksesi i shqiptarëve na e shton jetën, aty ku ka depërtuar letërsia dhe fjala e shkruar, aty ku e bukura ekspozohet në mure, aty ku muzika ka jehuar e jehon, aty më shpesh se rrallë, do të jetë KultPlus’, u shpreh Selmani i cili pas këtyre fjalëve ftoi Erzën në skenë.

Ky prezantim erdhi në kuadër të edicionit të tretë të “Ta zbardhi fytyrën”, ngjarje kjo kulturore e organizuar nga KultPlus, që ka për qëllim të shpalosë para publikut shqiptar rrugëtimin e artistëve tanë që po na bëjnë krenarë në botë. E kësaj liste nuk ka si t’i mungojë edhe Erza e cila ka arritur ta bëjë për vete gjithë Francën dhe jo vetëm.

Duke zënë vend në skenë bashkë me moderatorin, ata nisin bisedën, ku ajo fillimisht falënderoi të pranishmit dhe u shpreh e lumtur që për herë të parë është në Kosovë për një paraqitje të tillë.

 “Nuk kam menduar se kemi me pas sukses në krejt botën”, u shpreh Erza për grupin e saj United Kids, ku në moshë shumë të re, me po këtë grup ajo ka filluar turneun rreth botës që për qëllim ka pasur kauzën humanitare duke u fokusuar te fëmijët me pamundësi për shkollim.

Intervista e Erzës herë pas here shoqërohej me video-prezantime ku shfaqej rrugëtimi i saj, duke filluar nga performanca e saj e parë e deri më sot.

KultPlus në këtë mes kishte edhe një surprizë për Erzën, ku kishte përgatitur katër video nga pjesëtarët e grupit të saj me të cilët edhe nisi gjithçka. Në gjuhën frënge ata i shprehen urimet me të bukura Erzës.

Tutje në ekran u shfaqën edhe videoklipet e saj. Pas intervistës së shkurtër ku Erza shpalosi rrugëtimin e saj në muzikë dhe kënaqësinë që ishte në një mes ku ajo ndihej më së miri, pianoja po e priste për t’i lëshuar tingujt e parë në sallë.

Themeluesja e KultPlus, Ardianë Pajaziti, u shpreh shumë e kënaqur për bashkëpunimin me prindërit e Erzës. Pas fjalimit të saj të shkurtër por që përmbledhte rrugëtimin e gjatë të KultPlusit për paraqitjen e Erzës para publikut kosovar ajo ftoi në skenë edhe babain e Erzës.

I emocionuar, Mehmet Muqolli mori fjalën, duke falënderuar publikun e pranishëm si dhe punën e palodhshme për organizimin nga KultPlus.

Pas fjalës së përfaqësueses së Ambasadës së Francës në Kosovë, erdhi koha për të pritur në skenë Erzën dhe për të dëgjuar teksa këndon plot emocion e shpirt.

Gjatë këtij interpretimi ajo promovoi edhe këngën e saj më të re ‘Je chanterai’ e cila është pjesë e albumit që do të publikohet në fund të muajit gusht. Por, krejt për fund ajo kishte një surprizë për të pranishmit. Ishte kënga shqipe ‘Xhamadani vija vija’ që nën interpretimin e Erzës erdhi edhe më e bukur e më emocionuese. Publiku nisi të këndonte bashkë me të, e duartrokitjet e shoqëruan gjatë gjithë kohës. ‘Back to black’ dhe ‘La Boheme’ ishin në mesin e këngëve të cilat Erza zgjodhi t’i këndonte mbrëmë.

Të mahnitur nga performanca magjike e Erzës, publiku u nda shumë i kënaqur. Erza me zërin e saj të ëmbël e të fuqishëm arriti të mbajë publikun gjatë gjithë kohës në emocion.

E një yll në moshë kaq të re si Erza, fansat më të mëdhenj i ka moshatarët e saj. Olisa Zari kishte ardhur enkas nga Franca për të qenë e pranishme në performancën e Erzës.

“Nesër është ditëlindja ime dhe kjo është dhurata ma e mirë që e kam marrë. Unë jam fanse e Erzës prej këngës së saj të parë, dhe e kam pasur ëndërr ta takoj. Erza po na bënë krenar”, tregon ajo për KultPlus.

Me mbarimin e koncertit të Erza Muqollit, të pranishmit ishin të ftuar në hapjen e KultPlus Caffé Gallery – Qendrës më të re Kulturore në Prishtinë. Hapja e Caffe Gallery-s u bë nga Erza Muqolli dhe pronarja e KultPlus, Ardianë Pajaziti. Me hapjen e kësaj qendre të kulturës, Erza filloi menjëherë me foto dhe autografe për publikun. I gjithë ky event nuk do të ishte i mundur pa KultPlusin, portal ky që është bërë si një sinonim për kulturën mbarëshqiptare.

Mbrëmjen artistike “Ta zbardhi ftyrën” me Erza Muqollin e kanë mbështetë: Ministria e Integrimeve në Kosovë, Bucaj, Coca Cola, Lierac, Glamour In, Amc Corporation.  / KultPlus.com

Të ngjajshme