27 Tetor, 2023 - 1:45 pm
Në teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit është mbajtur koncerti jubilar “Lule borë”, kushtuar 100-vjetorit të kompozitorit dhe dirigjentit të shquar shqiptar, Simon Gjoni.
Koncerti u interpretua nga Orkestra Simfonike e RTSH, dirigjuar prej mjeshtrit Eno Koço. Të pranishëm ishin edhe solistë të mirënjohur si Inva Mula, Kastriot Tusha, Eva Golemi, Erinda Agolli, Denis Skura, Flaka Goranci e Armando Likaj etj.
Të pranishmit në sallë e kanë vlerësuar si një koncert të shkëlqyer, homazhin për një emër aq të rëndësishëm të muzikës shqiptare, siç ishte Simon Gjoni.
Simon Gjoni i përket brezit të krijuesve dhe muzikantëve që bënë historinë e muzikës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ai ishte pjesë e brezit të kompozitorëve shkodranë bashkë me Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Gjon Kapidani etj.
Për krijimtarinë e tij është folur e shkruar pak edhe pse fama e këngës “Lule borë” e ka shenjuar emrin e tij në disa breza shqiptarësh.
Përveç kompozimit, Simon Gjoni do të mbahet mend edhe si një nga dirigjuesit e parë të Orkestrës Simfonike të Teatrit të Operës dhe Baletit dhe Orkestrës së RTSH. / KultPlus.com