11 Nëntor, 2017 - 2:56 pm
Është mbajtur mbrëmë në Prishtinë Festivali i Parë Ndërkombëtar i Koreve të Grave, organizuar nga Kori “Lira”.
Një sallë e mbushur plot me mysafirë, në Swiss Diamond Hotel në kryeqytet, u njoftua me Kore të ndryshme.
Para audiencës u prezantuan Kori i Femrave të Shkollës së Mesme të Muzikës “Lorenc Antoni” nga Prizreni me dirigjent Fikrim Emra, Kori i Femrave “Siparantum” nga Peja me dirigjent Memli Kelmendin dhe Kori “Lira” me dirigjente Valire Buzën.
Të gjitha koret kanë kënduar nga katër këngë, ku dominuan këngët shqipe dhe kompozitorët shqiptarë. Kori “Lira” të gjitha këngët i ka të përgatitura nga kompozitori Tomor Berisha, bashkëpunëtor i ngushtë i këtij Kori.
Koncertin e moderoi Andi Belegu, i cili për fund këndoi “Margjelo”, përcjellur në piano.
Për KultPlus, nga Kori “Lira” tregojnë se një veçanti e kësaj nate ishte edhe binjakëzimi i Korit nga Prishtina dhe Korit “Lyra” nga Cyrihu.
Për edicionin e radhës së këtij festivali, në anën tjetër, interesim kanë shprehur edhe Koret e ndryshme nga Bosnja, Sllovenia, Greqia e Maqedonia. / KultPlus.com