Eugent Bushpepa: Nuk jam gati për Eurovizion

23 Dhjetor, 2017 - 11:18 am

Ai është padyshim një nga zërat më të mirë shqiptar. Me një këngë që ndjell një atmosferë të ngrohtë për “Eurosong 2018”, Eugent Bushpepa deri më tani renditet, si këngëtari më i klikuar në garën e Festivalit të Këngës. “Mall” është një projekt muzikor që mban firmën e tij në të gjitha elementët dhe që mbart një histori të veçantë mungese e dashurie. Entuziast për faktin se kënga e tij është ndër më të pëlqyerat dhe me shpresën e mirë për fitore, Genti nënvizon dëshirën e tij “shpresoj që të rikthehen dhe të dëgjojnë muzikën e mirë shqiptare”.

Genti, përse “Mall”?
Kjo këngë ka një histori të veçantë. Kam qenë larg familjes kur e kompozova dhe kur u ktheva këtu, atë ndjenjë që kisha kur isha larg familjes, u mundova ta hedh në 4 rreshta.

I keni realizuar vetë të gjitha..
Kjo këngë ishte shumë afër meje dhe doja që të gjitha elementët t’i realizoja vetë, edhe pse çunat kanë ndihmuar shumë.

Kënga jote është më e klikuara në internet…
Jam i kënaqur që kënga ime është pëlqyer.

I keni dëgjuar këngët e tjera?
I kam dëgjuar dhe mund të them se ka materiale shumë të mira, siç ka edhe talente të rinj shumë të mirë, si Inis Neziri, e cila është një superkëngëtare, Redon Makashi ka një këngë shumë të ndjerë, Elton Deda ka një këngë rrok etj. Janë shumë!

https://www.youtube.com/watch?v=bvYJ6EwuwXg

Nuk është hera juaj e parë në festival…
Kjo është hera e tretë që marr pjesë në festival. Herën e parë ka qenë viti 2000, ku kam konkurruar me një grup nga Mirdita, Sunrise. Tani rikthehem me shpresën që gjërat të kenë ndryshuar për mirë. Shpresoj të vlerësohet ai që duhet.

Kur këngëtarët që nuk fitojnë zhgënjehen dhe thonë që nuk do të marrin më pjesë në festival…
Kjo ka qenë arsyeja pse nuk kam marrë pjesë për shumë kohë. Nuk jam kthyer, sepse e di që do fitoj, apo se kështu janë hapur thashethemet, por sepse mendoja që materiali që kisha, ishte i përshtatshëm. Nga të gjitha materialet që kam për album, këtë e pashë si më të përshtatshëm për t’ua dhënë njerëzve.

Konsiderohet si festivali i rikthimit të big-ëve. I trembesh konkurrencës?
Më së shumti e shoh si qejf, si atmosferë, më shumë si show, se sa si konkurrencë mes njerëzve. Mbase këngët rrok nuk vlerësohen aq sa duhet në Shqipëri, komerçialiteti bën të vetën dhe 80 % e shqiptarëve janë spostuar nga muzika rrok, por shpresoj që të rikthehen dhe të dëgjojnë muzikën e mirë shqiptare.

Për shumë vite ky festival i ka shërbyer vetëm një kënge, asaj që shkon në eurosong, a ia vlen gjithë ky investim, për një këngë?
Ajo këngë që do të dalë do të përfaqësojë Shqipërinë, qoftë një këngë që e vlerëson shumica, qoftë një këngë që e përkrah juria profesioniste e RTSH-së, është normale që t’i jepet vrull, por që të zgjidhet nga vetëm një kompeticion më duket pak e padrejtë.

Ky është një pretendim i ngritur prej kohësh…
Do të ishte mirë që të zgjidhej me bashkëpunim. Të zgjidhej më e mira për Shqipërinë, materiali i duhur ta përfaqësonte sa më mirë Shqipërinë në Eurovizion.

Dhe së fundmi, a gati për në Eurovizion?
Të them të drejtën, jo! “Shpresoj” të mos e fitoj (qesh). / SHEKULLI

Të ngjajshme