25 Shkurt, 2022 - 9:30 am
Festivali i madh evropian, Eurovision ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend ta ndalojë Rusinë të konkurrojë, pavarësisht tentim-pushtimit të Ukrainës nga presidenti Vladimir Putin.
Organizatorët përsëritën statusin e konkursit vjetor si një “ngjarje kulturore jopolitike”, mes sulmeve të vazhdueshme nga Rusia ndaj fqinjit të saj, shkruan The Independent.
“Eurovision Song Contest është një ngjarje kulturore jopolitike që bashkon kombet dhe feston diversitetin përmes muzikës”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga organizatorët.
“Anëtarët e transmetuesit publik [të Bashkimit Evropian të Transmetuesve] në Rusi dhe Ukrainë janë zotuar të marrin pjesë në ngjarjen e këtij viti në Torino dhe ne aktualisht po planifikojmë të mirëpresim artistë nga të dy vendet për të performuar në maj”, thuhej tutje në deklaratë.
“Natyrisht, ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën”, përfundon deklarata.
Kompania Transmetuese Publike e Ukrainës (UA:PBC), tha sot (24 shkurt) se i ka bërë thirrje EBU-së që të përjashtojë Rusinë nga pjesëmarrja në festival sivjet.
Kërkesa pretendoi se transmetuesit rusë kanë qenë “një zëdhënës për Kremlinin dhe një mjet kyç i propagandës politike” dhe kanë marrë pjesë në “shpërndarjen sistematike të dezinformatave” kundër Ukrainës, “në kundërshtim” me vlerat e EBU-së.
Edicioni i 66-të i Eurovisionit është planifikuar të zhvillohet në Torino këtë vit, pas fitores së Italisë me grupin Maneskin vitin e kaluar.
Javën e kaluar, përfaqësuesja e zgjedhur e Ukrainës, Alina Pash, u tërhoq nga konkursi mes shqyrtimit mbi vizitën e saj të raportuar në vitin 2015 në Krimenë e pushtuar nga Rusia. Ajo është zëvendësuar nga grupi rep Kalush Orchestra, i cili do të konkurrojë me këngën e tyre “Stefania”.