18 Shkurt, 2025 - 5:57 pm
Shkodra Elektronike ka realizuar videoklipin e këngës “Zjerm” me të cilën do përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovizion më 13 maj në Bazel.
Ka qenë vetë dyshja e këngëtarëve Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca të cilët kanë njoftuar në rrjetin social Instagram përfundimin e xhirimeve të videoklipit të “Zjerm”.
Por Beatriçja dhe Kola ende nuk kanë dhënë detaje mbi datën e lëshimit të videoklipit të këngës së tyre e cila fitoi zemrat e publikut dhe votat e jurisë në Fest 63.
Më herët, Beatriçja dhe Kola kanë bërë me dije në emisionin “Miqtë e Pasdites” në RTSH se performanca dhe veshja skenike në Eurosong, do të jetë e njëjtë me atë të Fest 63.
Po ashtu, dyshja e këngëtarëve kanë ndarë me publikun edhe disa detaje mbi vendet të cilat do të “njohin nga afër” këngën “Zjerm” para performimit në Eurovizion.
Shkodra Elektronike ka bërë me dije se më 3 mars do të performojnë në Berlin, më pas në Selanik më 14 mars, duke vijuar me Marseille të Francës më 20 mars, më tej në Oslo më 22 mars, duke vijuar me Amsterdamin më 5 prill, me Manchesterin më 12 prill, më pas me Londrën më 13 prill dhe duke e mbyllur me Madridin më 19 prill.
“Shkodra Elektronike” do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong të martën e 13 majit.
Shqipëria do të performojë në natën e parë gjysmëfinale të Eurovision 2025 që do të zhvillohet në Bazel të Zvicrës.
Shqipëria, pas hedhjes së shortit, është përcaktuar që të konkurrojë të martën e 13 majit, në gjysmën e dytë të natës së parë.
Shqipëria do të përfaqësohet nga “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjarr”, me të cilën triumfuan në Festivalin e Këngës.
Përzgjedhja e radhës së interpretimit u bë në mënyrë rastësore përmes shortit. Nga pesë vazo të përgatitura nga EBU-ja për 31 shtetet pjesëmarrëse në gjysmëfinale, Shqipëria u listua në vazon e tretë.
Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar, të konsideruara si vendet “e mëdha”, janë kualifikuar automatikisht pa u dashur të garojnë në gjysmëfinale. Po ashtu edhe Zvicra, si fituese e edicionit të kaluar të Eurovision, nuk garon në gjysmëfinale.
Finalja madhe e Eurovizion 2025 do të zhvillohet më 17 maj./rtsh/ KultPlus.com