28 Mars, 2019 - 8:00 pm
Familja e DJ dhe producentit të ndjerë Avicii, i cili u gjet i vdekur në dhomën e tij të hotelit në Oman në prill të vitit 2018, paralajmëroi themelimin e fondacionit i cili do të emërtohet pikërisht sipas këtij muzikanti suedez, i cili vdiq tragjikisht.
Fondacioni kryesisht do të përqendrohet në mbledhjen e fondeve të cilat do të investohen për ta rritur vetëdijesimin për sëmundjet mendore dhe parandalimin e vetëvrasjeve, raporton BBC-ja.
Edhe pse ende nuk është publikuar shkaku zyrtar i vdekjes, DJ-i suedez, emri i vërtetë i të cilit është Tim Bergling, ka luftuar gjatë me abuzimin e drogave dhe me depresionin, kështu që konsiderohet se ky yll ia mori vetes jetën.
“Timi dëshironte të bënte ndryshim. Lansimi i fondacionit me emrin e tij është mënyra jonë për t’i respektuar karakterin dhe veprën e tij, dhe që të vazhdojmë të veprojmë në frymën e tij”, thotë familja e muzikantit në deklaratën për shtyp, shkruan KOHA Ditore.
Fondacioni Tim Bergling do të merret me çështje, siç janë ndryshimet klimatike dhe ruajtja e natyrës.