10 Qershor, 2022 - 9:27 am
Festivali FemArt në edicionin e 10-të sjell në Prishtinë kantautoren dhe instrumentisten multidisiplinare Christine Salem nga Ishujt Reunion.
Me energjinë dhe sharmin e saj Christine Salem përzien instrumentet perkusioniste me meloditë e një violine virtuoze në albumin e saj më të ri “Mersi”, këngë të së cilës do të interpretohen në një mbrëmje të veçantë në Teatrin Oda.
Këngët e saj, të ngjyrosura me blues, maloya apo rock, janë ode për paraardhësit e saj dhe nderojnë gratë, gjersa i këndon shpresës për një botë më të mirë. E pakompromis, por me ndjeshmëri të vërtetë, në forcën dhe butësinë e saj, “Mersi” i ngjan Christine Salem.
Me mënyrën e veçantë dhe personale të jetësimit të këngëve, Christine Salem, ka krijuar 13 tituj të rinj, kryesisht blues, të lindura nga toka, dhimbja dhe historia.
Më 15 qershor duke filluar nga ora 21:00, do të fillojë edhe koncerti i Christine Salem në Teatrin Oda.
Ky aktivitet organizohet nga Artpolis në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në kuadër të Festivalit FemArt dhe Festës së Muzikës. /KultPlus.com