Fest 63, Arta Dade mesazhe inkurajimi për gratë: Asnjëherë nuk është vonë për të qenë e suksesshme

22 Dhjetor, 2024 - 11:36 pm

Edicioni i 63 i Festivalit të Këngës ka qenë jo vetëm skena e muzikës, por edhe tribuna e mesazhe e të rëndësishme.

Një mesazh force dhe inkurajimi ishte ai që dha politikania Arta Dade për të gjitha gratë që të realizojnë ëndrrat dhe ambiciet e tyre.

Kurrë nuk është vonë për të qenë të suksesshme tha Dade, teksa shtoi se gratë e suksesshme i kanë ndryshuar fytyrën kësaj shoqërie, duke e bërë atë më të ndjeshme.

“Unë shpresoj që gratë e reja dhe vajzat e reja që kanë vendosur të ndjekin një udhëtim si i imi, t’ju kem ndikuar pak në këtë udhëtim. Shpeshherë në jetën tonë kthehemi në kujtimet e fëmijërisë dhe pyesim veten si ndodhi që u gjenda në një skenë? Dikush mund të pyesë si ndodhi që fitova garën kur isha e vogël me skuadrën e shkollës, ka të tjerë që pyesin si u ndjeva kur qepa fustanin e parë për veten time? Këto pyetje na çojnë te nënat.

Nënat janë të parat që dallojnë te ne talentet dhe na nxisin, na marrin për dore që ne t’i zhvillojmë këto talente. Të gjithë e dimë që ka një grupim të grave dhe të vajzave të cilat kanë arritur suksesin me përpjekjet e tyre, me pasionin e tyre, me këmbënguljen, me forcën e karakterit. Ato kanë qenë vetvetja dhe e kanë vlerësuar veten. Këto vajza i kanë dhënë shkëlqim kësaj skene, vajza krijuese, interpretuese e madje kemi këtë radhë edhe një dirigjente. Sigurisht respekt për vajzat e skenës dhe të ekranit, gazetaret, artistet që kanë bërë emër në skenat më prestigjioze të botës, por edhe për sipërmarrëset, pedagoget, të gjitha zonjat që sfidat i kanë kapërcyer me kualifikimet e veta. Këto gra e kanë ndryshuar fytyrën e shoqërisë sonë dhe unë i inkurajoj të vazhdojnë të përballojnë edhe sfidat e tjera. Asnjëherë në jetë nuk është vonë për të qenë e suksesshme”, ishte mesazhi që dha Dade./ rtsh.al/ KultPlus.com

Të ngjajshme