15 Korrik, 2023 - 11:00 am
Komuniteti i ri i krijuar ne Shkup i quajtur “Zhurkaq” ka për qëllim të zhvillojë kulturën dhe të promovojë artistët e rinj në skenën muzikore të Maqedonisë. Duke u fokusuar veçanërisht në zhanrin e muzikës techno, ky komunitet organizon evente muzikore të ndryshme, me synimin kryesor të krijojë një festival të muzikës techno, festival ky i cili do jetë i pari në Shkup i qëndrueshëm i rrethuar vetëm nën tingujt e muzikës elektronike.
Është krijuar si komunitet me qëllim të ndërtojë një platformë të fuqishme për artistët e rinj të vendit tonë. Kjo është edhe arsyeja pse organizatorët kanë vendosur që të mbledhin 4 artistë nga Maqedonia dhe një nga Kosova për t’u prezantuar në eventin e tyre të parë qe do mbahet me datë 15.07.2023 në parkun e qytetit të Shkupit.
Me këtë, ata dëshirojnë të rrisin ndërgjegjësimin dhe pranimin e këtij lloj të zhanrit në vendin tonë.
Qëllimi dhe vizioni i komunitetit “Zhurkaq” është të krijojë një traditë të vazhdueshme të eventeve të muzikës techno në Maqedoni. Duke sjellë artistët më të mirë të zhanrit dhe duke ofruar një atmosferë të jashtëzakonshme, organizatorët kanë për qëllim të ndërtojnë një komunitet të fortë dhe të qëndrueshëm ku gjithsecili do të ndihet mirë dhe do të ketë dëshirë të kontribuojë në mënyrën e tij.
Eventi i parë i “ Zhurkaq” do të mbahet me datë 15 të këtij muaji në parkun e qytetit të Shkupit pranë fontanës. Kjo pjesë e parkut është menduar që do të jetë mjedisi i përsosur për të organizuar këtë ngjarje pasi që është vend shumë i njohur e i dashur për të gjithë qytetarët. Me natyrën hapësinore dhe ambientin e veçantë, ky vend do të sjellë një ndjenjë unike të harmonisë midis muzikës dhe publikut të pranishëm. Performancat e artistëve të talentuar do të shoqërohen nga efekte të dritave dhe zërit profesional, duke krijuar një eksperiencë të paharrueshme për të gjithë ata që do të marrin pjesë në këtë event kulturor.