29 Maj, 2024 - 7:31 pm
Prej tri ditësh 300 artistë nga vende të ndryshme i kanë dhënë gjallëri Vlorës me këngët, vallet dhe kostumet tradicionale në edicionin XVI të “Aulona Inter Folk Festival” Artdashës të shumtë vendas dhe të huaj ndoqën grupet nga Shqipëria, Rumania, Hungaria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Italia e Ukraina.
Kupën e festivalit e fitoi Ansambli “Romanasul”, nga Rumania. Shijuan për tre netë aktivitetet që promovojnë traditat dhe kulturat e vendeve të ndryshme, por tek vlonjatët përsëri mbizotëron patriotizmi për vendlindjen.
Vizitorët e huaj të Vlorës, pushues në qytetin bregdetar përtej argëtimit ju bënë përshtypje vlerat kulturore që përcollën grupet pjesëmarrëse, duke veçuar shqiptarët dhe traditat që vendi ynë mbart.
“Jemi nga Italia. Prej një jave kemi ardhur për pushime në qytetin e Vlorës por këtu po ndihemi shumë mirë. Është shumë bukur dhe njerëzit janë shumë të mirë.”
“Jam nga Ukraina, jetoj prej 2 vitesh në Vlorë dhe këtë aktivitet e kam ndjekur edhe vitin e kaluar, pra është hera e 2-të. Më pëlqen të shoh dhe ndjek kultura të ndryshme, por këtu takoj dhe miqtë e mi nga Ukraina. Më pëlqejnë shqipatrët, e çmoj kulturën tuaj dhe ndihem si në shtëpinë time.”
“Jam Festivaliste me ansamblin e Ukrainës. Kostumi im është një kostum i një valleje të caktuar tradicionale. Vlora më përcjell përshtypje pozitive. Njerëzit janë shumë të dashur dhe qyteti i bukur.”
“Jam indian i rritur në Turqi. Jam turist dhe më pëlqen të eksploroj vende të ndryshme. Më pëlqen të udhëtoj në Tiranë dhe këto, po kënaqem. Njerëzit janë shumë të mirë dhe të ndihmojnë nëse u kërkon ndihmë. Janë shumë mikpritës.”
Grupet pjesëmarrëse nuk u ngjitën vetëm në skenën e festivalit në sheshin përpara stadiumit të futbollit “Flamurtari”, por edhe në mjediset e shumta publike, rrugë e sheshe, që mbajtën peshën e rëndë të ngjyrave të kostumeve, tingujt e këngëve dhe ritmet e valltarëve./TemA/ KultPlus.com