29 Maj, 2024 - 10:00 pm
Ansambli “Romanasul” nga Rumania u shpall fitues i edicionit të 16-të të Festivalit Ndërkombëtar “Aulona Folk”, i zhvilluar për katër ditë në qytetin e Vlorës.
Kupa e festivalit iu dorëzua në natën finale ansamblit rumun nga zëvendësministrja e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Vilma Bello.
Nata finale e këtij festivali u mbyll përmes një koncerti me numra të zgjedhura nga të gjitha grupet pjesëmarrëse të këtij edicioni.
Për katër ditë me radhë 300 artistë nga grupet përfaqësuese të folkut nga Italia, Ukraina, Maqedonia e Veriut, Kosova, Greqia, Hungaria, Rumania si dhe ansamble e grupe nga Shqipëria e kthyen qytetin bregdetar në një epiqendër të folkut europian jo vetëm për spektatorët që e ndoqën pranë skenës ngritur në sheshin e Stadiumit “Flamurtari” por edhe në sheshet e rrugët e qytetit.
Hapja e festivalit në sheshin historik të Flamurit, parada e kostumeve në Bulevardin “Ismail Qemali”, koncertet në mjediset e hapura të Qendrës Historike, në Lungomare, Pyllin Orbital, vizitat në Muzeun Kombëtar “Pavarësia” dhe kudo në rrugë e trotuare i dhanë Vlorës një atmosferë sa festive aq edhe me ritme e ngjyra kostumesh shumëngjyrëshe.
Drejtori i Përgjithshëm i këtij festivali, Sejmen Gjokoli tha për ATSH-në se “përveç dimensionit kulturor, i cili u demonstrua përmes këngëve dhe valleve nga secili shtet përfaqësues jo pak me interes u përcoll edhe ai i turizmit kulturor, ku artistët pjesëmarrës në festival vizituan nga afër dhe përjetuan magjinë e detit dhe bregdetit vlonjat”.
Festivali u organizua nga Qendra Kulturore “Aulona”, me mbështetjen kryesore të bashkisë së Vlorës./ atsh/ KultPlus.com