Metamorfoza e Bernicës dhe një fillim i jashtëzakonshëm në ‘Sunny Hill’

26 Korrik, 2024 - 5:36 pm

Sunny Hill Festival, që këtë vit po zhvillohet në tokën e tyre në Bernicë të Prishtinës, filloi me një natë të jashtëzakonshme më 25 Korrik. Ky festival, i cili zgjat për katër net, po ofron një hapësirë të dedikuar ekskluzivisht për muzikë, argëtim dhe kulturë, duke tërhequr mijëra adhurues nga vende të ndryshme të botës, shkruan KultPlus.

Nata e parë ishte një shfaqje e paharrueshme energjike, ku performuan disa nga emrat më të njohur të skenës muzikore. Bebe Rexha, e cila ishte edhe kryefjala e mbrëmjes, e elektrizoi skenën me zërin dhe performancën e saj të fuqishme. Publiku brohoriti dhe këndoi së bashku me hitet e saj të njohura, duke krijuar një atmosferë të papërsëritshme.

Performuesit e tjerë të natës përfshinë yjet e muzikës shqiptare dhe ndërkombëtare si Dafina Zeqiri, Mozzik, La Fazani, Swada dhe The Milk Snatchers. Çdo artist solli stilin e tij unik në skenë, duke siguruar që publiku të ishte në këmbë dhe të kënaqej gjatë gjithë natës. Dafina Zeqiri magjepsi me energjinë dhe koreografitë e saj, ndërsa Mozzik shkëlqeu me hitet e tij të njohura, sidomos nga albumi i fundit.

Padyshim momenti më kulminant i mbrëmjes së djeshme në “Sunny Hill Festival”, 🎤 Bebe Rexha duke ndezur skenën në Sunny…

Posted by KultPlus.com on Friday, July 26, 2024

Nata vazhdoi deri në mëngjes me performanca të veçanta nga grupi i njohur Black Coffee, i cili mori përsipër pjesën e DJ-ve së bashku me Dj Regard, Adrian Berisha dhe Noki. Ritmet elektronike dhe miksimet e tyre mbajtën publikun të kërcejë pa ndërprerje, duke krijuar një përvojë unike, në këtë rast, të mëngjesit.

Performancat energjike dhe atmosfera e krijuar nga artistët arritën një nivel të lartë të perfeksionimit, duke dëshmuar se Sunny Hill Festival është padyshim një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të vitit. Hapësira e Bernicës tregoi se ka qenë një nevojë e kahershme për një vend të tillë aktiv, pasi transferimi nga “Parku Gërmia” ndryshoi rrjedhën e festivalit në një mënyrë pozitive. Megjithatë, një moment që për shumë njerëz ndikoi negativisht ishte organizimi i hyrjes përpara portave të biletave “Regular”, “Believer” dhe “VIP”, ku radha e gjatë dhe shtytjet e ndryshme krijuan një tollovi të madhe.

Ky festival nuk është vetëm një ngjarje muzikore, por edhe një festë e madhe, pasi bashkon njerëz nga të gjitha sferat e jetës për të ndarë dashurinë për muzikën dhe artin. Me një fillim kaq të suksesshëm, pritshmëritë për netët e ardhshme janë të larta, dhe pa dyshim, Sunny Hill Festival do të vazhdojë të jetë një pikë referimi për eventet kulturore në rajon.

"TE DUA PRISHTINË" – mesazhi kryesor nga Bebe Rexha mbrëmë në Festivalin Sunny Hill. Me performancën e saj elektrizuese…

Posted by KultPlus.com on Friday, July 26, 2024

Publiku i pranishëm në Bernicë të Prishtinës përjetoi një natë të mbushur me energji, emocion dhe muzikë të mrekullueshme, duke shënuar fillimin e një aventure të paharrueshme në “Sunny Hill Festival”, derisa sot do të performojnë yje të tjerë të muzikës, përfshirë këngëtarin e famshëm Burna Boy, së b ashku me Lancey Foux, Dhurata Dora, Yll Limani, Capital T, Kamal dhe i riu Jolle.

Në pjesën e DJ do të jetë grupi i famshëm “The Martinez Brothers”, së bashku me Chloe Caillet, Dani Johnsson Artssassin. / KultPlus.com

Të ngjajshme