Nesër në Vlorë nisë “Aulona Inter Folk”, më i madhi e me shumë risi

10 Maj, 2019 - 5:07 pm

Festivali “Aulona Inter Folk” që do të zhvillohet nga data 11-13 maj do ta kthejë Vlorën në trevën e kulturës, traditës, historisë për të përcjellë përmes saj vlerat e mëdha që folklori ka krijuar dhe përcjellë vit pas viti.

“Ky festival këtë vit vjen më i madh se çdo vit tjetër. Janë 350 pjesëmarrës të ftuar nga vende të ndryshme nga Anglia, Finlanda, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Bullgaria do të zbukurojnë mbrëmjet në Vlorë, për të gjithë spektatorët e këtij festivali të muzikës dhe traditës”, tha kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

Kreu i bashkisë Leli tha se “Vlora është vendi që mirëpret pa fund turistë. Jam i bindur që këtë vit ashtu si një vit më parë kapëm rekordin këtë vit do të thyejë rekordin e vitit të shkuar për të qenë destinacioni i të gjithë shqiptarëve, por sigurisht edhe i të gjithë atyre njerëzve që do të vizitojnë Shqipërinë që jam i bindur që do të kalojnë patjetër nga Vlora”.

Drejtori i Përgjithshëm i këtij festivali, Sejmen Gjokoli në një intervistë për ATSH-në tha se “është edicioni i 11-të që do të zhvillohet “Aulona Inter Folk”, i bërë tashmë festivali i qytetarëve vlonjatë apo turistëve dhe qytetarëve jashtë Vlorës që zgjedhin qytetin tonë për të kaluar fundjavën”.

“Është një edicion që do të ketë risi e veta jo vetëm në pjesëmarrje Anglia, Finlanda, Kroacia, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Bullgaria, do të jetë festival ku do të shpalosen disa atraksione të reja sidomos në fushën e turizmit. Për herë të parë festivali do të kalojë nga porti i Vlorës në Karaburun, do të prekë kishën e Zvërnecit, por edhe plazhin e Radhimës”, – nënvizoi Gjokoli.

Gjokoli bën të ditur se festivali do të sjellë mbi 350 festivalistë. Do të zhvillojmë për herë të parë paradën e kostumeve pasdite, pasi në vitet e tjera është zhvilluar paradite.

“Do të prekim ndryshimin e madh që ka ndodhur në bulevardin “Ismail Qemali”, do të jetë një paradë e bukur me ngjyra, valle e muzikë”, – shtoi ai.

Gjokoli ftoi të gjithë qytetarët të jenë pjesë e kësaj parade.

“Po ashtu të shtunën në kinemanë verore, ky atraksion i ri i qytetit të Vlorës, do të zhvillohet nata e parë e festivalit ku do të performojnë të gjitha grupet. Është festivali që falë mbështetjes së bashkisë së Vlorës dhe kryetari Leli, të cilin e falënderoj për këtë promovim që i bën festivalit në mënyrë të drejtpërdrejtë, pasi tani ky festival ka kapërcyer kufijtë e Vlorës, madje edhe të Shqipërisë”, – tha Gjokoli.

Edicioni i 11-të i Festivalit “Aulona Inter Folk” do të mbledhë për tri ditë më radhë në qytetin bregdetar të Vlorës mbi 300 artistë nga vende të ndryshme të Europës.

Festivali do të zhvillohet në sheshin “Lungomare” dhe do të ketë një larmishmëri të ansambleve pjesëmarrëse.

Në “Aulona Inter Folk” do të marrin pjesë 9 ansamble folklorike nga Anglia, Finlanda, Kroacia, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Bullgaria, dy grupe polifonike, do të jetë e ftuar këngëtarja kosovare Shkurte Fejza, si dhe grupi i valleve nga SHBA”.

Festivali Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Interfolk”, që është pjesë e aktiviteteve në çelje të sezonit turistik në Vlorë, vlerësohet nga specialistët si një nga aktivitetet më të spikatura në trevat shqiptare dhe më i madhi në Shqipëri në llojin e vet, dhe me një gjeografi pjesëmarrjeje që shtrihet në Europë e Azi. /KultPlus.com

Të ngjajshme