31 Maj, 2023 - 5:44 pm
Me motivin “Shqipëria vallëzon dhe feston” rikthehet pas 8 vitesh Festivali Folklorik i Gjirokastrës. Edicioni i 10 vjen sërish me synimin për të ruajtur dhe trashëguar vlerat folklorike të gjithë trevave, ku flitet e këndohet shqip.
Larmishmëria e aktiviteteve do të shtrihet në gjithë pikat kyçe të Gjirokastres, duke promovuar kështu edhe vlerat e qytetit të gurtë.
“Festivali do të zhvillohet nga data 24 qershor deri më 1 korrik 2023 dhe do të presë artistë dhe grupe artistike nga 12 qarqet e vendit, si dhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi etj. Në skenën tradicionale të Kalasë do të ngjiten edhe grupe muzikore folklorike nga arbëreshët e Italisë, të shqiptarëve nga Greqia, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe SHBA. Të gjitha minoritetet dhe dëshmitë e tyre muzikore dhe koreografike janë të përfaqësuara në festival brenda grupeve të qarqeve përkatëse”, shprehet Elva Margariti, ministrja e Kulturës.
Të ftuar gjatë netëve të këtij Festivali do të jenë rreth 1200 artistë e grupe të mirënjohura jo vetëm shqiptarë, por dhe ndërkombëtare . Për herë të parë festivali vjen me risi./KultPlus.com