5 Korrik, 2023 - 9:30 am
Nën moton “këndojmë e kërcejmë nëpër botë”, mbi 400 pjesëmarrës të grupeve folklorike nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe Europës i dhuruan Durrësit një spektakël ngjyrash dhe tingujsh, duke shpalosur traditën e tyre përmes këngës dhe valleve popullore.
Sheshi “Liria”, në qendër të qytetit bregdetar u shndërrua, në një skenë të hareshme ku ansamblet nga krahina të ndryshme të vendeve pjesëmarrëse mbajtën mbërthyer publikun me vallet, këngët dhe larminë e kostumeve popullore.
“Këtë herë kemi 18 grupe folklorike nga vende të Ballkanit dhe Europës, si Lituania, Polonia, Rumania, Bosnje Hercegovina, Kroacia etj. Çdo grup ka mundësinë të prezantojë kulturën dhe traditat e veta. Jo vetëm kaq ata kanë mundësinë të jenë bashkë dhe të shkojnë në plazh, vizitojnë monumentet antike, Amfiteatrin dhe disa kanë zgjedhur të vizitojnë dhe qytete të tjera, si Tirana dhe Kruja.” tha organizatori Zoran Leveski.
Mbrëmjen e kaluar, festivalin e folklorit shume kulturor e çeli një grup fëmijësh nga Bullgaria, të ndjekur nga Ukraina që sollën ritme të gëzuara të festave dhe kërcimeve tradicionale.
“Jemi nga Ukraina dhe erdhëm këtu për të kërcyer në këtë festival. Na pëlqen shumë këtu dhe po e shijojmë veçanërisht detin. Do të qëndrojmë dhe 5 ditë të tjera.”
“Jemi nga Bosnje Hercegovina dhe kemi ardhur për të kërcyer vallet tona tradicionale. Është hera e parë dhe është kënaqësi të jesh këtu. Vend shumë i bukur”, thanë vajzat nga Ukraina dhe Bosnja.
Përveçse artistë që mbajnë gjallë traditën dhe kulturën popullore të vendeve të tyre, ata janë dhe turistë që shijojnë gjithçka që mund të ofrojë Durrësi dhe Shqipëria gjatë sezonit turistik.
Aktivitete të këtij lloji gjallërojnë jetën artistiko-kulturore duke i dhënë banorëve dhe turistëve të shumtë të Durrësit mundësinë për të shijuar kulturën dhe traditat e vendeve të ndryshme, ngjashmëritë dhe dallimet mes tyre.
“Nga Bullgaria jam dhe vetë. Kam gjyshen time. Shumë e kënaqur… ” , tha ajo.
Festivali ndërkombëtar i valleve dhe këngës folklorike do të rikthehet në Durrës edhe gjatë muajit gusht./Top Channel/KultPlus.com