25 Shtator, 2021 - 7:15 pm
Në qytetin antik ilir Bylis të Mallakastrës në datat 24 e 25 shtator u mbajt Festivali i 10-të i Polifonisë, nën kujdesin e Shoqatës së Polifonisë Shqiptare dhe të Akademisë së Shkencave.
Në emër të kryetarit të Akademisë përshëndeti akad. Pëllumb Xhufi, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike të Akademisë së Shkencave.
Festivalin e përshëndeti gjithashtu edhe prof. Neritan Ceka, kryetar i Komisionit të Arkeologjisë e Historisë të Akademisë së Shkencave dhe zbulues e studiues i qendrës arkeologjike të Bylisit.
Prej disa vitesh festivali ka marrë përmasa mbarëkombëtare e ballkanike, pasi aty kanë marrë pjesë veç grupeve artistike nga Shqipëria e Jugut edhe grupe nga Kosova, Rajca, Kurbini, Kërraba, arbëreshët e Italisë e Greqisë, nga Janina, Bullgaria, etj.
Akad. Xhufi falënderoi pjesëmarrësit në festival, e në mënyrë të veçantë organizatorët e tij, që po mbajnë gjallë një nga eventet më të rëndësishme të këngës e valles burimore shqiptare. Ai premtoi se Akademia e Shkencave do jetë gjithnjë e më pranë këtij festivali dhe në të ardhmen do kontribuojë edhe për t’i kthyer ditët e festivalit në një forum të debatit shkencor mes specialistëve shqiptarë e të huaj, lidhur me problematikat e folklorit shqiptar, me ruajtjen e pasurimin e tij në kushtet e botës moderne e të globalizimit./KultPlus.com