6 Nëntor, 2019 - 1:10 pm
Një kërcimtar dhe një buratin i vogël që zotërojnë skenën me një kërcim kontemporan sa rebel e të çmendur, aq dhe të qashtër në mesazhet që përcjell për publikun. Shfaqja “Morgan dhe Freeman” e autorit hungarez Ferenc Feher u shfaq mbrëmjen e kaluar në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit ndërkombëtar të Dancit Modern dhe Kontemporan.
“Kjo është një shfaqje që vjen nga një artist shumë i veçantë, një nga koreografët dhe përformuesit më të veçantë, më interesantë europianë. Ne si organizatorë të festivalit përpiqemi t’i ofrojmë publikut tonë qasje nga më interesantet, nga mënyra si artistët e vështrojnë botën dhe si sjellin botën e tyre shpirtërore”, thotë Gjergj Prevazi, drejtor i Festivalit.
Fituese në festivalin e Dancit Kontemporan në Hungari, shfaqja “Morgan dhe Freeman” u mirëprit nga publiku në sallë, që inkurajoi me duartrokitje artistin edhe gjatë ndërprerjes së energjisë elektrike në mes te shfaqjes. Feher pritet të performojë sërish në arTurbina në Tiranë mbrëmjen e sotme, ndërsa festivali shqiptar i dancit ndërkombëtar kontemporan do të vijojë deri më 21 nëntor me shfaqje që tërheqin audienca të ndryshme. /KultPlus.com