28 Mars, 2023 - 10:00 pm
Rikthimi i Festivalit të Gjirokastrës pas një kohe të gjatë, ka rikthyer emocionet dhe garën e grupeve të cilat janë përfshirë në fazat konkurruese e më tej përzgjedhëse, sa i përket përfaqësimit të Qarkut Vlorë.
“Normalisht në katër deri në pesë vjet zhvillohet ky festival dhe jemi përgatitur të konkurrojmë dhe shpresojmë të jemi pjesë e festivalit. Kemi marrë pjesë në të gjitha festivalet nga viti 2000”,- tha grupi Jehona Labe.
“Ne jemi grup i ri prej 12 vjetësh , 28 Nëntor të 2012. Kemi konkurruar një herë për në Festival të Gjirokastrës pra 6 vitesh. Çdo konkurrim ka emocionim e vet por ne prandaj kemi dalë të këndojmë polifoni”,-tha grupi Pavarësia.
“Është diçka fantastike edhe lufta është e madhe, edhe grupet janë përgatitur të gjithë do vejë më i miri, ai që do i japi vlera Vlorës”, tha grupi Djemtë e Vlorës
“Kemi qenë në vitet socialiste, në Vlorë, Elbasan në Gjirokastër mesa di jo”,- tha grupi i Rrëmjeve (vllah)
Kryetari i Këshillit të qarkut Vlorë tregoi se kanë konkurruar rreth 40 grupe në të gjithë qarkun ku do të marrim pjesë jo vetëm me pjesën e polifonisë siç njihet dhe është karakteristikë e qarkut tonë por dhe me përfshirje të komuniteteve të cilët janë pjesë përbërëse të qarkut, të kulturës dhe traditës burimore.
“Kjo do thotë si komunitetit çam, me minoritetin me zonën minoritare që është bashkia e Finiqit me sazet e Delvinës apo me zonën e Myzeqesë pra komisioni ka një punë shumë të vështirë nga larmishmëria e madhe e përfaqësimit dhe konkurrimit”,-tha Ervis Moçka, Kryetari i Këshillit të Qarkut Vlorë
Prej krijimit të Festivalit në vitin 1978 qarku Vlorës ka qenë përherë i përfaqësuar ndërsa dy herë ka marrë edhe çmimin e parë./ euronews