15 Gusht, 2023 - 4:44 pm
Në San Demetrio Corone (Shën Mitri) në Kalabri, për tre net radhazi u zhvillua edicioni i 41-të i Festivalit të Këngës Arbëreshe.
Ky festival është ndër nismat e para dhe më të rëndësishme të organizuara nga shqiptarët e Italisë për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë e tyre kulturore.
Festivali i Këngës Arbëreshe u mbajt në datat 10, 11, 12 gusht. Festivali i arbëreshëve lindi si ide në vitin 1980, siç edhe ka nënvizuar krijuesi i kësaj ngjarjeje dhe juristi Giusseppe D’Amico, nga trashëgimia e pasur muzikore e arbëreshëve që përbëhej nga “vjershat” (këngë tradicionale) mjaft të përhapura tek të rinjtë. Në këtë mënyrë lindi nevoja dhe dëshira për të prodhuar këngë të reja si në tematikë edhe në ritme, duke pasuruar muzikologjinë arbëreshe.
Ndër vite ky festival ka prodhuar qindra këngë të reja dhe ka promovuar në tregun muzikor, autorë e interpretues të rinj. Por njëkohësisht është bërë edhe “simboli” dhe “flamuri” i pasardhësve të Skënderbeut, një bashkësi e gjallë dhe moderne që ripërtërihet në traditë./atsh/KultPlus.com