29 Mars, 2023 - 1:27 pm
Radio Televizioni i Kosovës me mbështetje të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte kanë përvjelë mëngët për organizimin e edicionit të parë të Festivalit të Muzikës, festival që i ka munguar deri më tash Kosovës, shkruan KultPlus.
Shkumbin Ahmetxhekaj në një intervistë ekskluzive për KultPlus ka treguar se ky projekt ka nisë prej qershorit të vitit 2022, dhe se sipas tij, edicioni i parë do të realizohet në vjeshtën e këtij viti.
“Ne synojmë që ky aktivitet të kthehet në një ngjarje të madhe kombëtare, ku artistë të rinj e me karrierë do të jenë pjesë e një gare muzikore për të zgjedhur këngën më të mirë. Pos saj, shpresojmë të marrim ftesë për pjesëmarrje në Eurovizion. Sa për rikujtim, vetëm televizionet publike kanë të drejtë të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në garën evropiane të këngës. Çështjen e pjesëmarrjes në Eurovizion jemi duke e trajtuar me prioritet”, ka thënë Ahmetxhekaj.
Ahmetxhekaj këtë nismë e vlerëson me përgjegjësi të madhe, pasi që sipas tij, për herë të parë që nga themelimi i RTK-së, po ndërtojnë diçka të re.
“Gjatë këtyre viteve kemi përjetuar evoluim të rrymave muzikore dhe numër të madh të artistëve, prandaj nuk është mision i lehtë që të krijohet diçka duke ruajtur vlerat por edhe duke iu përshtatur shijes së publikut. Do të jetë kënaqësi që të shohim artistë të rinj e me karrierë duke garuar për “Okarinën’ e në të ardhmen edhe për të përfaqësuar Kosovën në Eurosong”, ka thënë Ahmetxhekaj.
Se kur do të bëhet thirrja e hapur për aplikim, Ahmetexhekaj ka thënë se së shpejti do të mbahet edhe takimi i parë me grupin punues që është përzgjedhë nga drejtori i festivalit Adi Krasta, i cili në të njëjtë kohë është edhe zëvendësdrejtor i përgjithshëm i RTK-së.
“Krasta ka përvojë të gjatë në organizimin e festivaleve dhe pres që ky edicion të jetë nisje e mbarë e asaj çfarë ne synojmë të ndërtojmë. Këtë javë do të kemi takimin e parë më grupin punues që e ka përzgjedhur Krasta dhe disa nga detajet e tjera kohore do të përcaktohen në fillim të prillit”, ka thënë Ahmetxhekaj rreth përgatitjes së festivalit që tashmë është emërtuar si “Festivali i Këngës në RTK”.
Ndërkohë, përpos emërtimit të festivalit, drejtori gjeneral i RTK-së Ahmetexhekaj ka njoftuar se edhe çmimi kryesor që do të ndahet në këtë festival tashmë është emërtuar, dhe se trofeu kryesor i këtij festivali ka emrin “Okarina”.
Po për realizimin e këtij festivali është problemi i sallës, pasi që Prishtina ende nuk posedon një sallë profesionale që i plotëson kushtet për një organizim të tillë.
Ahmetxhekaj ka thënë se Adi Krasta së fundi ka vënë disa kontakte me Komunën e Prishtinës dhe ata të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte për sigurimin e objektit adekuat, dhe se sipas tij, vendimi final do të merret brenda pak ditësh. “Por ne preferojmë që të jetë tek Pallati i Rinisë edhe për shkak të lokacionit”, ka thënë Ahmetxhekaj.
Drejtori gjeneral i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka folë më pas edhe për ekipin organizativ të këtij ediconi, që sipas tij, ky ekip do të finalizohet brenda pak ditëve, kurse sa i përket moderatorëve të edicionit të parë të këtij edicioni, ai ka thënë se për këtë çështje do të vendosin në një fazë më të vonshme.
“Moderatorët do të përcaktohen në një fazë të mëvonshme. Duke marr parasysh se ky është festival i parë dhe shumë i rëndësishëm do të sigurohemi që të moderatori/moderatorët të jenë hiq më pak se fantastik”, ka thënë Ahmetxhekaj.
Ai më pas ka treguar se përgjatë këtij festivali që do të zgjasë për tri mbrëmje, do të ftohen edhe artistë të njohur në këtë festival, dhe se sipas tij, tashmë i kanë diskutuar disa emra që mund të jenë edhe artistët pjesëmarrës të këtij edicioni.
Dhe për fund, duke pas parasysh se ky festival kërkon një përgatitje maksimale, pasi që edhe interpretimi do të jetë live dhe do të jetë nën përcjelljen e orkestrës së madhe të RTK-së, Ahmetxhekaj ka thënë se beson fuqishëm që ky festival do të jetë atraktiv për artistë.
“E kuptoj që mund të jetë sfidë, pasi deri më tash në Kosovë nuk ka pasur një festival të tillë, por fakti që ne po nisim përgatitjet qysh tash, nënkupton se do të ketë kohë të mjaftueshme që secili të përgatitet”, ka thënë për fund Ahmetxhekaj./ KultPlus.com