30 Dhjetor, 2024 - 8:00 pm
Ardianë Pajaziti
Festivali i Radio Televizionit të Kosovës të ngjason si me legjendën e Kështjellës së Rozafës, përderisa kështjella ndërtohej ditën e shembej natën, skeleti i kësaj hapësire shndërrohej prej një parkingu në një festival, për tu rikthyer në gjendjen e mëparshme posa binin perdet.
Dy edicione tashmë kanë lënë shkëlqimin në njërën prej garazheve të Prishtinës, dhe edicioni i radhës ka mbet edhe pa këtë hapësirë, pasi që, tashmë është dhënë një sinjal. Ky lokacion do ti nënshtrohet renovimit.
Dhe për dy edicione të ringritjes së këtij festivali me një pauzë super të madhe në mes, prej kohës së Akordeve të Kosovës, iu ra hise dy personave, njërit nga Shqipëria e tjetrit nga Kosova, Adi Krastës e Florent Boshnjakut, të cilët, me shumë peripeci, që i tejkalonte edhe kërkesat për çka ishin të thirrur, bën të pamundurën dhe sollën këtë festival për dy edicione.
Të dy ngritën një festival pa shtëpi, një festival pa infrastrukturë, një festival nga hiqi. Mungesa e një salle koncertale vazhdon të jetë problemi më i madh i komunitetit artistik, që shpeshherë drejtorët e festivaleve i shndërron edhe në punëtorë teknik, pastrues, e gjithçka tjetër, sepse, vetëm në këto festivale di të ndodhë gjithçka e pa paparashikuar.
Megjithatë, fillimi i Festivalit të RTK-së padyshim do të mbetet i ngjitur me emrin e Boshnjakut, i cili krejt këtë proces edhe pse tejet të lodhshëm, e vlerëson si shumë të vonuar, dhe krejt këtë vonesë e adreson te përbërjet e Ministrisë së Kulturës nëpër vite, që sipas tij, nuk i dhanë një shtysë për realizimin e tij, për të ndodhë më në fund në vitin 2023, vit që shënon rrugëtimin e kësaj nisme deri në kurorëzimin e rrugëtimit për Eurosong.
“Janë gjetë shumë arsyetime nëpër vite, prej një ministri në ministrin tjetër. U desh të vinte një Adi Krasta në Kosovë dhe të lëvizte motorët, edhe përkundër shumë sfidave që na kanë përcjellë për këto dy edicione”, thotë Boshnjaku i cili neglizhencën për themelimin e këtij festivali e adreson edhe te mendësia e personave kompetent nëpër vite, duke u arsyetuar me faktin se Kosova nuk është e pranuar në Eurosong, dhe se ka kohë për themelimin e një festivali të tillë.
“Kosova do të shkojë një ditë në Eurosong, por kur të vjen ajo ditë ne duhet të jemi të përgatitur. Duhet të kemi një përvojë në raport me festivalet”, thotë Boshnjaku.
Dhe fillimi i një festivali nga zeroja, fillimi i një festivali pa sallë koncertale duket se e ka shteruar Boshnjakun dhe nuk është i sigurt nëse do të pranojë edhe udhëheqjen e edicionit të tretë. Ai është skeptik duke iu referuar përvojave në këto dy edicione.
“Për edicionin e parë kam qenë edhe unë i përgatitur se kam me pas të vështirë, po për edicionin e dytë kam menduar se do ta kemi më të lehtë, duke u bazuar në atë se tashmë e kemi ndërtuar një bazë, dhe punën e kemi të njohur. Por kurrë nuk ma ka marr mendja se edicioni i dytë do të jetë shumë më i vështirë”, thotë Boshnjaku, që shpjegon se edhe edicionin e dytë e kishte pranuar në partnerit me Adin, por, sipas tij me këto mundësi dhe këtë kapacitet, ai nuk duket shumë entuziast se do ti përvjelë mëngët edhe për edicionin e tretë.
“Dëshira dhe vullneti ka ekzistuar që festivali me arritë aty ku duhet me arritë, jam mundu me mish e me shpirt, duke përdorë edhe lidhjet e mia që kam krijuar për një jetë të tërë. Krejt kemi qenë të angazhuar, mirëpo nuk po shoh vullnet për ndryshimin e kushteve, dhe vështirë është të punohet në këto kushte”, thotë Boshnjaku, i cili uron, shumë uron që në vitet në vijim çmimi i parë i Eurosong të vijë në Shqipëri, por edhe në Kosovë kur ti vijë momenti, sepse, sipas tij një fitore e tillë do të thotë shumë për industrinë e muzikës.
Ai tërheqë disa paralele që në këtë vend nuk respektohet artisti, nuk shpërblehet për mundin e bërë, nuk i krijohet infrastrukturë, edhe nëse flitet për infrastrukturë, sipas tij fokus i jepet muzikës klasike, duke harruar që muzikën e këtij vendi e bën edhe muzika pop, jazz dhe zhanre të ndryshme që do të duhej të vlerësoheshin.
“Pandemia na ka dëshmuar se sa na respektojnë, duke pas reagime të shumta se pse artistët duhet të mbështeten në kohë të pandemisë. Po ata njerëz që dëgjojnë muzikën tonë në shtëpi, në lokale, në makina pa e paguar asnjë cent të vetëm”, shprehet Boshnjaku.
“Mentaliteti jonë vazhdon mos me e pa muzicientin si profesion, ndoshta edhe me këtë mendësi fusha jonë nuk është pa paralel me fushat tjera. Nëse ka qenë prioritet rregullimi i një rruge, po me atë rëndësi është dashtë të ndërtohej edhe një sallë. Franca dhe Gjermania janë shtete që në një periudhë nuk kanë pas as kanalizim, por kanë vepra muzikore që ende njerëzimi i shijon”, thotë Boshnjaku.
Ai përpos Festivalit të RTK-së që ka nisë rrugëtimin pa shtëpi, përmend edhe institucionin e Operës së Kosovës që ka nisë po të njëjtin rrugëtim. Këtë shkëndije muzikore ai e sheh vetëm si vullnet të artistëve, e që nuk pengohen shumë nga infrastruktura, por ai edhe në këtë mes e sheh një problem. Sepse, sipas tij, gjenerata e sakrificës është në zhdukje e sipër, të rinjtë nuk do të kenë durimin deri në ndërtimin e sallave që të bëjnë karrierë.
“Kam frikë që një ditë do të ndërtohen edhe këto salla, po kur të ndërtohen, shtrohet pyetja për kë do të ndërtohen. Po shoh shumë të rijnë që po e provojnë vetën në fushën e muzikës në rajon dhe në shtete të Evropës, ata po duan që të prekin suksesin, dhe jo përmirësimin e kushteve”, thotë Boshnjaku.
Festivali i RTSH-së ka ec shpejtë drejt një rruge kualitative
Florent Boshnjaku që për krejt jetën e tij nuk ka punuar asnjë punë tjetër përpos muzikës, ka provuar edhe shijen e Festivalit të RTSH-së në shumë dimensione. Ai ka punuar në këtë festival edhe si organizator, edhe si kompozitor, edhe si juri, por suksesi më i madh i Boshnjakut vazhdon të mos tejkalohet edhe sot.
Kompozimi i këngës “Suus” interpretuar nga Rona Nishliu, këngë që edhe sot nuk është tejkaluar nga asnjë këngëtar i Shqipërisë sa i përket radhitjes në Eurosong, është një prej sukseseve më të mëdha të Boshnjakut.
“Shumicën e krijimtarisë jam munduar me pas të tillë, krijimtari të qëndrueshme. Natyrisht se punoj edhe në pjesën komerciale, por jam mundu që të realizoj një punë cilësore, e që nuk është e lehtë të mbahet niveli në këto rrethana” thotë Boshnjaku.
Por, përpos suksesit që pat shënuar në Eurosong, Boshnjakun më të lumtur e bën fakti që kënga Suus edhe sot vazhdon të jetë target i garave të ndryshme ndërkombëtare, sikurse që kjo këngë dëgjohet edhe në festivale të ndryshme të muzikës.
Kurse për edicionin e fundit të RTSH, ku Boshnjaku ishte në cilësinë e jurisë ka vlerësuar se ky festival ka qenë një ndër festivalet me solide të RTSH, ku i ka vlerësuar edhe prurjet artistike.
Për vendin e parë të Shkodrës Elektronike ai e ka vlerësuar si një këngë të arrirë dhe se pikërisht ajo këngë e ka merituar vendin e parë. “Juria e ndau edhe çmimin e kritikës, dhe po ky çmim shkoi për Shkodrën Elektronike, e kur juria jep çmimin e kritikës kuptohet që analizohen krejt detajet”, ka thënë Boshnjaku, edhe pse, sipas tij si kompozitor është shumë e vështirë pjesëmarrja nëpër juri, pasi që me shumicën e artistëve punon, dhe e njeh kapacitetin e tyre.
“Jo gjithmonë artistët e kanë ditën më të mirë në paraqitje, dhe ti si kompozitor ia njeh kapacitetet në vazhdimësi, dhe pastaj krejt ky proces di të jetë shumë i vështirë”, thotë Boshnjaku.
“Unë e RTSH jam i lidhur shumë ngushtë për shumë vite. E njoh shumë mirë përbrenda, ia njoh problemet, ia njoh zhvillimet, dhe mund të them se kanë ec shumë shpejt me kualitet. Kushtet që i ka ofruar RTSH për organizatorët kanë qenë kushte kualitative”, vazhdon Boshnjaku, i cili organizimin me Festivalin e RTK-së dhe atij të RTSH nuk guxon as ti krahasojë, gjithnjë sa i përket infrastrukturës dhe kushteve.
Influencohen nga jeta e këngëtarëve në instagram, e fatkeqësisht nuk është reale
Se në çfarë pike është muzika sot, nëse e krahasojmë me të kaluarën, Boshnjaku thotë se nuk ka mes, një grup i këngëtarëve është lart, kurse pjesa tjetër është poshtë. Më herët më shumë kemi pas mes, që do të thotë kemi pas më shumë cilësi. Poashtu një pjesë e zhanreve është duke u tkurrë, e kemi pas muzikën pop shumë të zhvilluar, kurse tani kemi një zhanër të ri, rep, hip hop e të përzier edhe me muzikë popullore” thotë Boshnjaku.
Ndërkohë, se pse të rinjtë e Kosovës janë kaq shumë të interesuar për muzikën, Boshnjaku thotë se ndoshta pse jemi popull i hareshëm, por më shumë edhe ajo e përfitimit material. “E shohin jetën e disa këngëtareve në instagarm, dhe fatkeqësisht nuk është reale, një grusht njerëz a e kanë apo nuk e kanë atë jetë, dhe figurat e instagramit po bëhen model dhe ndoshta po i hyjnë rrugës për të bërë muzikë. Edhe pse disa fillojnë për arsye komerciale, që nuk i lë në faj, secili ka zgjedhjen e tyre”, thotë Boshjnaku.
Florent Boshjnaku që krejt jetën e ka të lidhur me muzikën, krejt ditët e vitit i ka të lidhura ngushtë me këtë profesion. Ai realizon brenda vitit disa produksuone, dhe shumë projekte të tjera muzikore.
Ai së shpejti do të lansojë një projekt muzikor, talent show, e që fituesit e kësaj gare do ti përcjellë në zhvillimin e tyre muzikor, ku tre fituesit do të dërgohen me bursë për studime.
Boshnjaku kep detaje që projekti “Rockeeet Music” është përkrahur nga fondacioni ‘Siana’, përkatësisht nga kompania ‘Speeex’, e që pritet të jetë një garë e jashtëzakonshme.
“Ka, edhe disa projekte që do ti realizojë jashtë Kosovës me të rinj, sikurse kam një projekt që e kam dërguar në Komunë të Prishtinës, por që nuk kam marr asnjë përgjigje, Kam kërkuar që të rinjtë e fushës së muzikës të kenë mundësi të realizojnë incizime të punës së tyre, në mënyrë që ti kenë të arkivuara për aplikime të mëtutjeshme. Studentët e muzikës nuk kanë asnjë incizim profesional, e po me ato incizime ata prezantohen pastaj në komisione ndërkombëtare. Po ky projekt kaq i rëndësishëm nuk u realizua, nuk mora përgjigje”, thotë Florent Boshnjaku, i cili ka punuar edhe me fonacionin e Dua Lipës ku kanë trajnuar disa të rinj e që janë dërguar pastaj për një punëtori në Suedi.
Për fund, ai kujton se lidhja me yjet tona që i kemi nëpër botë do të shërbente shumë për mbështetjen e të rinjve tanë, sepse një referencë e tyre është shumë domethënëse për karrierën e tyre. / KultPlus.com