3 Tetor, 2018 - 2:44 pm
Alberina Haxhijaj
I vetmi festival i cili i dedikohet muzikës vokale në Kosovës do të fillojë sonte duke sjellë para publikut në Kishën Shën Ndou në Ulpianë grupin “The Gesualdo Six” të cilët për herë të parë vijnë në Prishtinë nga Londra, shkruan KultPlus.
Prishtina Internacional Vocal Festival, do të fillojë sonte edicionin e parë me qëllim që në fokus të muzikës e cila zhvillohet në Kosovë të sjellë edhe muzikën vokale. Përmes katër koncerteve mjaft të këndshme për publikun dhe të ndryshme nga njëri-tjetri, ky festival synon të kthej vëmendjen pikërisht nga kjo muzikë por edhe nga koret, ansamblet, solistët dhe dirigjentët shqiptarë që gjejnë strehë në muzikën vokale. Drejtori i festivalit, Hajrulla Syla u shpreh se Kosova duket të ketë një festival që do bëhet ombrellë e muzikës vokale dhe emancipimit të saj.
“Ne po njohim shumë solistë të cilët po dalin nga shteti i vogël i Kosovës dhe po arrijnë majat e skenave botërore, operistike e kështu me radhë. Është edhe fakti se në Kosovë kemi shumë pak kore dhe pikërisht këto kore nuk e kanë një festival ku mund të shpalosin punën e tyre. Prandaj ideja e festivalit është nxitja e ansambleve, koreve e kështu me radhë duke mos anashkaluar edhe nxitjen e kompozitorëve për të krijuar muzikë vokale sepse është një muzikë hyjnorë siç e quaj unë”, tregoi ai për KultPlus.
Festivali në edicionet e ardhshëm por edhe në këtë edicion do të sjellë grupe, kore dhe ansamble jo vetëm shqiptare por edhe nga vendet e ndryshme të botës. Për të dëshmuar këtë pikërisht edicioni i parë do të filloj me grupin “The Gesualdo Six” .
Ky grup do të sjellë para publikut të Prishtinës një program brenda të cilit do arrini që të vëreni gërshetimin e veprave të vjetra me kompozime të reja. Pikërisht ky gërshetim është një veçanti e këtij ansambli tregoi për KultPlus, Owain Park, përfaqësues i ansamblit “The Gesualdo Six”.
“Është kënaqësi që jemi këtu dhe sidomos në edicionin e parë të festivalit. Është hera jonë e parë që vijmë si ansambël në Kosovë dhe shpresoj që nuk do të jetë e fundit. Programi jonë është një program mjaft i këndshëm dhe një përzierje e muzikë se renesancës, me kompozitor anglez si William Byrd pastaj John Tavener. Pastaj edhe me kompozitor nga Italia dhe vende të tjera të Evropës. Programi do jetë edhe një ndërthurje e veprave më të vjetra me kompozime të reja. Në mesin e tyre do jenë edhe katër ninullat e kompozitorit nga Estonia, Tormis”, tregoi ai.
Ansambli është formuar për më shumë se katër vite në Cambridge të Londrës ku kanë mbajtur edhe shumë koncerte para se të fillonin prezantimin e tyre edhe nëpër Evropë, duke përfshirë tani edhe paraqitjen e tyre në Kosovë e për të vazhduar në Belgjikë muajin e ardhshëm.
“Duke qenë një grup me bazë në Londër kemi arritur që të prezantohemi edhe nëpër vende të tjera. Takimi me Kosovën ka qenë shumë i papritur. Udhëheqësi i festivali na ka parë duke performuar në kanalin tonë në YouTube, ku postojmë incizimet tona. Ai ka parë një perfomancë tonën në Katedralen Ely. Një vend i mrekullueshëm për të kënduar dhe pastaj si rezultat kemi marrë ftesën për këtu, një mundësi shumë e mirë”, tregoi ai për KultPlus.
Një ndër iniciativat kryesore të këtij grupi është edhe puna që ata bëjnë me të rinjtë. Përmes masterklasave ata nxisin të rinjtë që të merren me muzikë vokale por edhe që të luajnë instrumente të ndryshme si violina apo çfarëdo instrumenti që ata zgjedhin.
“Kjo është një mënyrë shumë e mirë për ne që të lidhemi me audiencën e re pasi që zakonisht kjo lloj muzike ka prirje që të dëgjohet nga një moshë më e shtyrë sesa zhanret e tjera të muzikës të cilat njerëzit i dëgjojnë. Prandaj ne mundohemi që ti përfshijmë të rinjtë duke i lejuar që të këndojnë me ne dhe duke i inkurajuar që të zhvillojnë aftësitë e tyre të këndimit. Kjo krijon një atmosferë shumë të mirë pasi që pastaj ata dhe familjarët e miqtë e tyre vijnë në koncertet tona dhe kjo na bënë që të ndjehemi se jemi së bashku në këtë rrugëtim pasi që edhe ne jemi të ri”, theksoi ai.
Në natën e dytë, të festivalit që do të mbahet me datë 4 tetor, pjesëmarrës do të jetë ansambli ‘Zanat’ nga Prishtina dhe kori ‘Siparantum’ nga Peja me dirigjent Memli Kelmendin, për të vazhduar me natën e tretë që do të mbahet me datë 6 tetor, ku në skenë do të paraqitet kori i femrave nga Shkupi me dirigjent Sasho Tatarchevski.
“Nata përmbyllëse më 7 tetor, do të bëhet nga kori profesional i Filharmonisë së Kosovës nën dirigjimin e Kushtrim Gashit, i cili jeton dhe vepron në Gjermani. Pjesë e këtij koncerti do të jenë edhe solistët Arta Jashari – soprano, Elton Balla – fizarmonikë, Artemida Qarri Haxhiaj – piano”, tregoi disa detaje të natës përmbyllëse Vlora Çitaku, nga stafi i festivalit.
Kori i Filharmonisë së Kosovës me 3 premiera botërore në “Prishtina International Vocal Festival”
Tutje ajo theksoi se e veçanta e kësaj natë do të jenë veprat e tre kompozitorëve shqiptarë të cilat do të jenë premierë botërore. “I nemun” kompozuar nga Ylli Daklani, “…rrugës” nga Memli Kelmendi dhe “Mother” nga Artan Hasani.
Koncerti i parë i festivalit së bashku me “The Gesualdo Six” do të fillojë sonte nga ora 20:00 në Kishën Shën Ndou, në Ulpianë./ KutlPlus.com