24 Prill, 2019 - 10:22 am
Rinë Abrashi
Kulmita Kajtazi
Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, i mbajtur në Beograd çdo qershor, prezanton publikun e Beogradit me skenën kulturore të Kosovës, si një kontribut kulturor i aspiratave të përgjithshme të krijimit të përhershëm të paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Ideja kryesore e këtij festivali është krijimi i platformave të sigurta të takimeve dhe shkëmbimeve kulturore e sociale midis Kosovës dhe Serbisë, kështu që këto takime të bëhen një traditë dhe vazhdimisht të kontribuojnë në bashkëpunimin e dy shoqërive për të përmirësuar lidhjet shoqërore, politike dhe kulturore.
Këtë vit festivali ‘Mirëdita, dobar dan!’ filloj ndryshe dhe më herët nëpërmes pjesëmarrjes së tij në Javën Ndërkombëtare të Shoqërisë Civile në Beograd (International Civil Society Week – ICSW ), si një nga aktivitetet e shumta në kuadër të këtij mbledhimi global të shoqërisë civile, ku luftohet dhe avokohet për të drejtat e njeriut në mënyra të ndryshme dhe diskutohet për fuqinë dhe ndikimin që shoqëritë civile mund të kenë.
Ekipi i Festivalit ‘Mirëdita, dobar dan’ me 10 Prill 2019, ka organizuar një ndejë në kuadër të këtij eventi me rëndësi të madhe, duke sjellë një ndër DJ-ët e njohur për muzikën komerciale Pop-RnB të Prishtinës, Kosovës, DJ Caboo. Ky aktivitet u prit mjaft mirë nga publiku i cili ishte i përbërë nga pjesëtarë të shoqërisë civile që vinin nga e gjithë bota. Edhe lokacioni i këtij eventi ishte mbresëlënës marrë parasysh se u mbajt në një anije lundruese mbi Danub.
Mirëpo senzacioni dhe fokusi i asaj nate në festën e organizuar nga ekipi i festivalit ‘Mirëdita, Dobar Dan!’ ishte performanca surprizë e grupit të famshëm Punk Rock ‘Pussy Riot’ nga Rusia, të cilët janë të njohur për aktivizmin politik, luftën dhe avokimin për të drejtat e njeriut. Performanca e tyre sa atraktive aq edhe drithëruese u fokusua në përvojën e protestuesve të burgosur në Rusi. Meqenëse objektivi dhe tema e ICSW -së ishte ‘Fuqia e Bashkimit’, ftesa që i’u është bërë grupit Pussy Riot për të performuar ishte mëse e qëlluar.
Java Ndërkombëtare e Shoqërisë Civile (ICSW ) është një tubim global për shoqërinë civile për t’u lidhur, debatuar dhe për të krijuar zgjidhje të përbashkëta. Kjo ngjarje mbahet në vende me rëndësi politike dhe shoqërore, në hapësira publike duke dalluar kështu nga vendet tradicionale të konferencave. Nëpërmjet qasjes së “partnerizuar”, organizatat i bashkojnë burimet e tyre për të mbledhur një grup të larmishëm ndërkombëtar të udhëheqësve të shoqërisë civile për të shkëmbyer ide, për të nxitur ndryshime pozitive sociale, për të shkëmbyer mjete që nxisin veprimtarinë e qytetarëve dhe për të festuar pushtetin e njerëzve.
Më shumë se 200 liderë të shoqërive civile dhe aktivistë të të drejtave të njeriut morën pjesë në Javën Ndërkombëtare të Shoqërisë Civile (ICSË ) e cila u organizua në qytetin e Beogradit prej 8 deri me 12 Prill 2019, e ndër ta ishte edhe ekipi i festivalit ‘Mirëdita, dobar dan’. Kjo iniciativë kishte për synim të krijojë biseda të thella midis liderëve të shoqërisë civile, aktivistëve të drejtësisë sociale, anëtarëve të komunitetit filantropik, diplomatëve dhe të tjerëve rreth sfidave globale në zhvillim dhe si duhet të jetë shoqëria civile duke iu përgjigjur këtyre sfidave që të shqyrtojnë alternativa dhe mbështetje për të rinjtë drejt një pune efikase dhe efektive, duke i krijuar hapësirë bisedave sfiduese, inovative dhe aktiviteteve drejtë një qëllimi të përgjithshëm që mundohet të forcojë veprimin e shoqërive civile dhe qytetarëve për të ndërtuar një mision më të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
Tema e këtij viti ishte “Fuqia e Bashkimit” duke u fokusuar kështu në identifikimin e mundësive që organizatat dhe njerëzit në mbarë botën kanë që të punojnë së bashku për të mbrojtur hapësirat për veprim qytetar, në një botë ku transformimet globale po rindërtojnë se si funksionon shoqëria civile. Eksperiencat e krijuara gjatë kësaj jave janë ndarë me aktivistë nga e gjithë bota në delegim të aktiviteteve nga liderët e organizatave të vendeve si Indonezia, Zimbabve, Ukraina, Serbia, etj. duke siguruar që të mësojnë teknikat e punës dhe përvoja tjera, duke marrur perspektiva të ndryshme dhe shembuj konkret se çka mund të funksionoj dhe çka mund të dështoj.
Pjesëmarrës në një nga debatet e shumta të Javës Ndërkombëtare të Shoqërisë Civile në Beograd ishte edhe Besa Luci si paneliste, kryeredaktore e revistës Kosovo 2.0 nga Prishtina, ku diskutuan për mënyrat efektive të të komunikuarit dhe ndikimin që mediat kanë në formim të opinionit dhe nxitje të aktivizmit. Gjithashtu u diskutuan edhe pikat e forta të lëvizjeve bashkëkohore qytetare anembanë botës. Nga Kosova në këtë ngjarje masive për shoqërinë civile, në ditën e dytë të Javës Ndërkombëtare të Shoqërisë Civile, ishte Dren Puka nga KCSF i cili foli për reagimin e shoqërisë civile dhe angazhimin e përbashkët me shumë partnerë vendorë e të huaj për rikthim të dispozitave të drejta, duke u fokusuar në Ligjin problematik për OJQ i miratuar nga Kuvendi më 7 nëntor, i cili po merret si shembull i keq në nivel global i shkeljes nga shteti të parimeve bazë të sektorit joqeveritar.
Kjo festë (ndejë) e festivalit ‘Mirëdita, dobar dan!’ në Beograd si pjesë e aktiviteteve të Javës Ndërkombëtare të Shoqërisë Civile ishte si një paralajmërim i edicionit të gjashtë të këtij festivali i cili do të mbahet po në Beograd nga 29 maj deri më 01 qershor 2019, ku do të prezantoj edhe një herë një program të cilësisë së lartë të fushave të ndryshme nga teatri, filmi, muzika, instalacione artistike, promovime librash e debate të shumta për çështje të rëndësishme që prekin edhe marrëdhëniet Kosovë-Serbi.
Ky event është mbështetur nga ICSW dhe BCSDN.
Festivali “Mirëdita, dobar dan!” 2019 fuqizohet nga Integra, KFOS, YIHR, (Serbi), GI (Serbi), RBF. / KultPlus.com