17 Qershor, 2022 - 10:28 pm
Këtë të premte në Prishtinë filloi Festivali Multikulturor “Të festojmë së bashku, në të cilin për dy ditë do të mbahen aktivitete të ndryshme në Parkun e Qytetit, shkruan KultPlus
Festivali Multikulturor është një ngjarje e tradicionale e organizuar nga organizata joqeveritare “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”, dhe qëllimi kryesor i të cilit është ngritja e vetëdijes, promovimi i divesitetit, ndërgjegjësimi për identitetin kulturor të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, ofrimi i hapësirës dhe promovimi i artistëve të rinj e po ashtu edhe fuqizimi i rolit të gruas në shoqëri duke ofruar mundësi të barabarta për të gjithë.
Gjatë edicioneve të mëparshme, festivali ka pritur mbi 5 mijë pjesëmarrës, të cilët kanë pasur mundësinë të dëgjojnë dhe të mësojnë nga ekspertët e fushës për identitetin romë, ashkali dhe egjiptianë, përfshirë këtu edhe shumë tema tjera të cilat zgjuan interes të veçantë. Në fakt ky festival ishte çelësi në ringjalljen e zemrës kulturore, artistike e mbi të gjitha në inkurajimin e njerëzve, që të mendojnë përtej limiteve të tyre të deritanishme.
Amanda Toska nga “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”, tha se ky festival synon prezantimin e kulturave të të gjitha etnive që jetojnë në Kosovë.
“Festivali Multikulturor është një festival tashmë tradicional i cili organizohet për herë të katërt.Qëllimi i këtij festivali ëstë promovimi i traditave, kulturave të të gjitha etnive që jetojnë në Kosovë, pa dallime”, tha Toska për KultPlus.
I pranishëm në këtë festival që kishte bërë bashkë pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme në Kosovë ishte edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.
Ai u shpreh i lumtur për pjesëmarrjen e tij në edicionin e katërt të këtij festivali.
“Vendi ynë është me fat që përbëhet nga shumë bashkësi etnike, Kushtetuta jonë e garanton të drejtën e barabartë juridike e njerëzore për secilin nga në sfidat e shumta që i kemi pasë edhe në këto vitet e fundit, shteti ynë vazhdoi të tregojë forcën e shpirtit të tij human dhe tolerant, duke ikonsideruar dhe vlërësuar të gjitha komunitetet me barazi të plotë”, tha nënkryetari Zogaj.
E krejt në fund në këtë festival u paraqitën disa pika muzikore me valle të komuniteteve boshnjake, turke e shqiptare.
Ndërkaq, Festivali Multikulturor, do të mbahet për dy ditë rresht me programe të larmishme në Parkun e Qytetit në Prishtinë./ KultPlus.com