30 Gusht, 2021 - 7:00 pm
Festivali Ndërkombëtar i Muzikës ”DAM”, i paraparë të fillojë nesër më datë 31 gusht, është shtyrë për në tetor të po këtij viti, përcjell KultPlus.
Në faqen zyrtare të Festivalit, në rrjetin social Facebook është bërë e ditur se arsyeja e shtyrjes së këtij festivali përkon me rregullat e reja anticovid.
”Ju informojmë se edicioni i 16-të i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës DAM, i paraparë të mbahet nga 31 gusht deri më 5 shtator 2021, do të shtyhet për muajin tetor (10-14.10.2021). Kjo, pas miratimit të masave të reja kundër përhapjes së COVID-19, vendim i marrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës më 29.8.2021. Shpresojmë që numrat e të infektuar do të shkojnë drejt rënies dhe nuk do të kemi humbje jetësh në mënyrë që të mund të takohemi sërish. Ndryshe Gara e 2-të e Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë, do të mbahet në formatin “online” ashtu siç edhe është paralajmëruar. Nga data 6-10 shtator koncertet dhe garën do i sjellim në formatin e video koncerteve të xhiruara.
Deri në takimin e radhës, VAKSINOHUNI dhe ruani shëndetin!”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com