17 Korrik, 2021 - 9:57 am
“Chamber Fest Durrës” në edicionin e 16 po zhvillon mbrëmjet e tij koncertore në Muzeun Arkeologjik të Durrësit. Vendi ku të pranishmit shijojnë muzikën, që luhet nga artistë shqiptarë dhe të huaj.
Me një program të pasur me vepra të autorëve të njohur botërorë dhe shqiptarë, Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës “Chamber Fest Durrës”’ nisi këtë vit më 4 korrik dhe deri tani janë zhvilluar 5 koncerte, ndërsa në programin e tij janë dhe tre të tjerë.
Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës përfundon më datë 24 korrik dhe edicioni i 16 organizohet në qytetin bregdetar nga violinistja e njohur Nevila Kalaja Herczegh, me shoqatën “Arti dhe kultura italo-shqiptare”. Për të 16 herë ky festival rikthehet në qytetin e Durrësit me një pjesëmarrje të artistëve nga Franca, Italia, Gjermania, Austria e Shqipëria, dhe drejtuesja e festivalit violinistja e njohur Nevila Kalaja Herczegh shprehet se të gjitha koncertet zhvillohen te Muzeu Arkeologjik në Durrës. Sipas saj, ky është viti i 16 që festivali zhvillohet dhe është një eksperiencë e përsëritur, por këtë vit ndryshojnë koordinatat e artistëve.
Ajo thotë se me rëndësi ka dhe niveli artistik, por në edicionin e 16 ka më shumë pjesëmarrje të të rinjve. “Publiku e mirëpriti festivalin sepse di nivelin artistik, etj. Këtë vit është një pjesëmarrje më e madhe e studentëve, e pjesës së re të ansambleve të dhomës këtë vit në festival. Nëse kanë qenë në një koncert prezent, këtë vit janë tre koncerte që janë prezent studentët e Universitetit të Arteve”, tregon mes të tjerave drejtoresha artistike Nevila Kalaja.
Festivali muzikor
Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës përfundon më 24 korrik dhe në sallën e muzeut arkeologjik kombëtar janë programuar edhe tre koncerte të tjerë me instrumentistë vendas dhe të huaj. Mes koncerteve që janë zhvilluar deri tani, në koncertin e Orkestrës së Studentëve të Universitetit të Arteve ishte dhe pjesëmarrja e instrumentistëve të Wiener Kammersymphonie nën drejtimin e Luciano Condina. Andre Jollivet-koncert për flaut e orkestër harqesh, ishte premierë absolute në Shqipëri(fragment nga koha e tretë).
Një koncert Matteo de Francesco dhe Orkestra e Harqeve e Universitetit të Tiranës nën drejtimin e Marco Bossi. Një tjetër mbrëmje ishte po me Orkestrën e Harqeve të UA nën drejtimin e Marco Bossi. Solistë Matteo de Francesco në flaut, Nevila Kalaja Herczegh violinë dhe Arben Llozi në violë. Në program vepra nga Shostakovic, Jollivet e Dvorzhak. Kuarteti”Scampis” gjithashtu u prezantua në “Chamber Fest 2021”, për të vijuar dhe më koncerte të tjerë, ku këtë mbrëmje është koncerti i artistëve italianë, kuarteti “EOS”. Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës u krijua pikërisht me qëllimin për të siguruar një vazhdueshmëri jo vetëm në njohjen e kulturave të ndryshme nëpërmjet artistëve të ardhur nga Italia, Austria, Franca, Greqia, Zvicra, Kosova, etj, por edhe me dëshirën e madhe për t`u ballafaquar me këto kultura. /sot/ KultPlus.com