Festivali “Peja Jazz” rikthehet me edicionin e ri, sjell përzierje të pasur të artistëve ndërkombëtarë

18 Tetor, 2024 - 5:46 pm

Peja Jazz Festival rikthehet në edicionin e tij të vitit 2024, duke sjellë në qytetin e Pejës një përzierje të pasur të artistëve ndërkombëtarë dhe muzikës së xhazit. Festivali do të zhvillohet nga data 30 tetor deri më 2 nëntor 2024, në Kinema Jusuf Gërvalla, Pejë dhe me datën 3 nëntor 2024 në Teatrin Oda, Prishtinë, përcjell KultPlus.

Përformuesit kryesorë përfshijnë:

Laura Prince (30 tetor): Një vokaliste dhe kompozitore e talentuar me rrënjë nga Togo dhe Franca, e njohur për stilin e saj autentik dhe emocionet që shpreh në muzikë. Ajo do të shoqërohet nga pianisti Julian Caetano, një yll në ngritje në skenën e xhazit.

Cimbalom Duo (31 tetor): Káláman Balogh dhe Miklós Lukács sjellin një përzierje të jazz-it dhe muzikës popullore përmes instrumentit të rrallë të cimbalom-it, duke ofruar një performancë të pasur në emocione dhe ritme.

Ceylan Taci (1 nëntor): Një vokaliste me origjinë shqiptare nga Belgjika, e njohur për stilin e saj të veçantë që ndërthur muzikën ballkanike, jazz-in dhe ritmet botërore. Ajo do të performojë me grupin Astrit Stafai & Friends.

Wada Iko Sai (2-3 nëntor): Një grup i mirënjohur japonez i përbërë vetëm nga meshkuj që performojnë me daulle tradicionale japoneze. Me mbi 2,000 performanca në 30 vende të botës, grupi sjell një energji të jashtëzakonshme në skenë, duke promovuar trashëgiminë kulturore japoneze në mënyra bashkëkohore dhe kreative.

Peja Jazz Festival 2024 premton të sjellë një atmosferë unike, duke ftuar adhuruesit e muzikës të shijojnë një përzierje të pasur artistike dhe kulturore nga e gjithë bota.

Data dhe vendet e festivalit:

30 tetor – 2 nëntor 2024 – Kinema Jusuf Gërvalla, Pejë

3 nëntor 2024 – Teatri ODA, Prishtinë

Biletat mund të blihen nga data 21 tetor 2024 në Kinemanë Jusuf Gërvalla në Pejë apo në www.rave-travel.com

Edicioni i 5-të i Peja Jazz është duke u realizuar me mbështetjen e Anibar, Kinema Jusuf Gërvalla, Ambasada e Japonisë në Kosovë, Ipko Telecommunications, Ministria e Rinisë, Kulturës, dhe Sportit, Bashkimi Europian, Ambasada e Hungarisë në Kosovë, Ambasada e Francës në Kosovë dhe Instituti Francez, London Taxi, Baker Tilly, and Deep Yellow./ KultPlus.com

Të ngjajshme